
Bardhezinjtë barazojnë me Kaljarin, humbet Udineze në Xhenova
Zikaltërve u mjaftoi një gol i Militos, Milani shpërdoron
Interi fiton derbin ndaj Milanit, duke i bërë më shumë një nder Juventusit, i cili kishte barazuar pasditen e djeshme në fushën e vet me Kaljarin. Humbasin edhe Udinese e Fiorentina. Zikaltërve u mjaftoi një gol i Militos për të mundur një Milan që prodhoi shumë lojë, por po aq shumë edhe shpërdoroi. Kështu, kuqezinjtë mbesin një pikë pas Juventusit, ndërsa Interi mban vendin e 5-të me 32 pikë. Sakaq, Juventusi vazhdon të mos humbasë, por barazimi i djeshëm në shtëpi ndaj Kaljarit 1-1 ishte një gjysmë hapi fals. Mirko Vuçiniç kaloi bardhezinjtë në avantazh, por Kosu i është përgjigjur me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone, në fillim të takimit, duke vendosur balancat në këtë sfidë. Trajneri Antonio Konte priste tri pikë, por djemtë e tij i kanë dhënë vetëm një. Në fushë u pa një skuadër pak brilante kundër sardëve. Juves nuk i hyri në punë as goli i shënuar që në fillim të takimit, ndërsa ka marrë barazimin e tetë radhazi që nga nisja e sezonit. Duket se ngjyrat kuqeblu janë një mallkim për “Zonjën”, e cila ka barazuar me Bolonjën, Xhenoan dhe tani, Kaljarin në shtëpi. Por Juvja ka thyer rekordin e 62 viteve më parë. Pavarësisht kësaj, vështirë se ka njeri që feston te “Zonja e Vjetër”. Nga ana tjetër, Kaljari me Atorin në qendër të mbrojtjes ka gjetur sigurinë që jo gjithmonë e ka pasur. Ndërkohë që në sulm, për t’i vendosur gjërat në vendin e vet, mendoi një kundërsulm i shpejtë, i finalizuar nga njeriu me më shumë cilësi në dispozicion të teknikut Davide Balardini, Kosu. Pas dy humbjesh radhazi dhe 9 golave të pësuar, Xhenoa ka parë dritë në fund të tunelit. Kuqeblutë e drejtuar nga Paskuale Marino (ish-trajneri i Udinezes) kanë fituar jo me pak vështirësi me rezultatin 3-2, në një sfidë të mbushur me emocione. Edhe pse pa titullarët afrikanë (në vendlindje për Kupën e Afrikës), friulanët kanë konfirmuar se janë një skuadër e frikshme dhe një realitet i bukur i futbollit italian, pasi interpretojnë një pjesë të parë fantastike. Fitore të rëndësishme shënoi dje edhe Lacio. Me nga një gol në çdo pjesë loje, skuadra e Edi Rejës kalon pa shumë vështirësi Atalantën me rezultatin 2-0. Bergamaskët regjistrojnë për herë të parë në këtë sezon dy humbje radhazi (e para, javën e kaluar kundër Milanit) dhe ndeshja e djeshme duket një fotokopje e asaj të kaluarës. Vetëm 20 minuta lojë dhe penallti për Lacion. Masielo shtrin në zonë Radun dhe nga pika e bardhë nuk gabon Hernanesi. Në 45 minutat e dyta janë sërish vendësit që kërkojnë dyfishimin, por pasi kapiteni Roki humb dy raste, fitoren e blindon Klose në sekondat e para të kohës shtesë, kur me një të majtë me rrotullim mund portierin Konsilji dhe të gjithë në festë. Në ndeshjet e tjera, Çesena mundi Novarën 3-1 falë dopietës së Adrian Mutusë, ndërsa Kievos i mjaftoi një gol për të munduar Palermon. Fitore mjaft të rëndësishme sigloi Leçe në fushën e vështirë të Fiorentinës, ndërsa Parma shkatërroi 3-1 Sienën. Sot luhet sfida e fundit mes Napolit dhe Bolonjës.
Skeda
Milan-Inter 0-1
Shënues: Milito 54′
Kartonë të verdhë: Boateng, Nesta, El Sharaui/ Tiago Mota
Milan: Abiati, Abate, Nesta, Tiago Silva, Zambrota (Robinjo 66′), Noçerino (Sedorf 80′), Van Bomel, Boateng, Emanuelson, Ibrahimoviç, Pato (El Sharaiu 83′). Trajner: Alegri
Inter: Julio Sesar, Maikon, Lucio, Samuel, Nagatomo, Zaneti, Tiago Mota, Kambiaso, Alvarez (Çivu 67′), Pacini (Forlan 90′), Milito (Shnajder 76′). Trajner: Ranieri
Ndeshjet
Të shtunën
Katania-Roma 1-1
(e ndërprerë nga shiu)
Dje
Çesena-Novara 3-1
Shënues: Mutu 20′, 39′ (p), Rinaudo 45′ (autg)/ Morimoto 89′
Kievo-Palermo 1-0
Shënues: Samarko 50′
Fiorentina-Leçe 0-1
Shënues: Di Mikele 66′ (p)
Juventus-Kaljari 1-1
Shënues: Vuçiniç 7’/
Kosu 48′
Parma-Siena 3-1
Shënues: Biabiani 24′, Valiani 66′, Xhovinko 90’/ Grosi 79′
Milan-Inter 0-1
Shënues: Milito 54′
Xhenoa-Udinese 3-2
Shënues: Grankvist 49′, Jankoviç 50′, Palasio 71′ / Ferroneti 14′, Di Natale 75′ (p)
Lacio-Atalanta 2-0
Shënues: Hernanes 20′ (p), Klose 91′
© Panorama.alRenditja
Nr. Ekipi P ND
1. Juventus 38 18
2. Milan 37 18
3. Udinese 35 18
4. Lazio 33 18
5. Inter 32 18
6. Napoli 27 17
7. Roma 27 17
8. Xhenoa 24 18
9. Kievo 23 18
10. Katania 22 17
11. Kaljari 22 18
12. Parma 22 18
13. Fiorentina 21 18
14. Palermo 21 18
15. Atalanta 20 18
16. Bolonja 18 17
17. Siena 18 18
18. Çesena 15 18
19. Leçe 12 18
20. Novara 12 18











