Intensifikohet fushata për dhurimin vullnetar të gjakut. Këto ditë, pjesë e saj janë bërë punonjës të mediave dhe spitaleve. Përfaqësuesit e Kryqit të Kuq dhe Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut bëjnë apel për më shumë sensibilizim. “Me gjak të sigurt, shpëtoni një jetë”. Ky është slogani që ka nxitur këto ditë dhjetëra veta të japin me dëshirë gjakun, në ndihmë të personave që kanë nevojë. Dje, thirrjes iu përgjigjën, përveç dhjetëra gazetarëve të mediave të shkruara, edhe Spitali Hygeia Tiranë. “Duke qenë se jemi vendi me rezerva më të ulëta të gjakut në Europë, është shumë e rëndësishme që institucionet të jenë shembull për të gjithë në dhurimin e gjakut, si pjesë e programit të përgjegjësisë së tyre sociale. Spitali Hygeia në Tiranë është një institucion i kujdesit shëndetësor, i cili e vë qenien njerëzore në plan të parë, kështu që ne punojmë shumë për të qenë të pranishëm në aktivitete, që shërbejnë për të ndihmuar njerëzit në nevojë”, tha drejtori mjekësor i Spitalit Hygeia Tiranë, Leonard Solis.











