
Raportimi i ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, në Komisionin Parlamentar të Integrimit, nuk u shpëtoi dot debateve me deputetët e opozitës.E thirrur në një seancë dëgjimore për planin e veprimit për 12 rekomandimet e Komisionit Europian, i cili është dërguar pranë Komisionit Europian, ministrja e Integrimit tregoi arritjet dhe mosarritjet e këtyre prioriteteve, një pjesë e të cilave për shkak të mungesës së opozitës në Kuvend dy vitet e fundit. Bregu u shpreh se bojkoti i opozitës vështirësoi plotësimin e atyre reformave që kërkojnë shumicë të cilësuar. “Procesi i integrimit është vështirësuar pas bojkotit të gjatë të opozitës ndaj Kuvendit. Unë besoj që nuk ka pretekst që të dalë para një procesi madhor kombëtar për shqiptarët, sikurse është procesi i integrimit. Nuk ka pretekst apo ngjarje të lidhur ngushtë apo cekët me interesa të njërës parti politike, të cilat të pengojnë procesin. Nëse ndërgjegjësimi është real i të gjithë aktorëve, se ky është një proces që bëhet së bashku, me kontribut dhe jo me bllokim, atëherë do të kemi mundësi të përshkojmë një rrugë me shumë sfida. Përndryshe, nëse këto janë vetëm taktika politike, duhet ta them sot publikisht, do të jetë shumë e vështirë që të presim një vlerësim pozitiv përsa i përket rekomandimit të parë, pjesë e rekomandimit të kriterit politik”, u shpreh Bregu.
Debati
Deputeti socialist i kërkoi ministres së Integrimit të largohet nga drejtimi i saj, pasi po pengon integrimin e vendit, duke sjellë në vëmendje se një nga pikat më të forta të 12 rekomandimeve është lufta kundër krimit të organizuar. “Nëse doni ju personalisht të ndihmoni në procesin e integrimit europian dhe në adresimin e prioriteteve që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, bëni mirë të rishikoni pozicionin tuaj në drejtimin e Ministrisë së Integrimit sepse e dëmtoni këtë aspiratë historike të shqiptarëve”, u shpreh Balla. Deputeti socialist i kujtoi ministres raportin e OSBE/ODIHR-it, ku, sipas tij, raporti shprehet qartë se janë detyruar nëpunësit e administratës të dalin në mitingje. “Lidhur me prioritetin 5 dhe 6, çështja e funksionit të zgjedhjeve dhe çështja e përmbushjes së hapave themelorë në reformimin e administratës. Raportin e OSBE/ODIHR-it, ku thuhet qartë që punonjësve të administratës civile në një ministri në Tiranë iu kërkua pjesëmarrja në mitingjet e PD-së dhe pjesëmarrja e tyre u kontrollua. Dhe kjo është Ministria juaj, zonja Bregu”, tha Balla. Por, pas fjalës së tij, ministrja Bregu u shpreh se të gjitha këto janë pretekste për të mos votuar ligjet që kërkon procesi i integrimit të vendit. “Ju e keni ndarë mendjen për të mos votuar që të keni mundësi më 12 tetor të thoni ‘ne erdhëm në Parlament, ju bashkuam juve, që do të thotë që ishim të gatshëm për të kontribuuar, por ja, përsëri Shqipëria nuk u vlerësua pozitivisht, që do të thotë që faji nuk është i opozitës, por i maxhorancës’. Të jeni të qartë që këtë lojë kaq të rëndomtë, që e kuptojë edhe kalamajtë që janë në kopsht, nuk ka qytetar që të mos e dijë. Dy vjet bojkot, sikurse e tha kryetari juaj, e zgjedhur si strategji vetëm për të penguar procesin e integrimit, nuk mund të bëhen me përpjekjet madhore dhe të zhbëhen me përpjekjet madhore të një maxhorance apo të qytetarisë në Shqipëri dhe të përmbysin një mendim për Shqipërinë”, u shpreh Bregu.
Diskutimet
Në fjalën e saj, kryetarja e Komisionit të Integrimit, Ermelinda Meksi, tha se në këtë plan-veprimi mungon adresimi i saktë i problematikës së rekomandimeve, shpesh humbet fokusi i tyre dhe rezultatet janë vështirësisht të matshme. Lidhur me mirëfunksionimin e Kuvendit, Meksi tha se “roli i opozitës nuk duhet të jetë thjesht teknik, thjesht ngritje e kartonit. Ka lindur nevoja për një qasje të re opozitë-maxhorancë”.
Deputeti socialist, Ditmir Bushati, në një analizë të punës së kësaj ministrie për integrimin e vendit, tha se “nga raportimi juaj, zonja ministre, po më duket sikur të gjitha problematikat e vitit 2004, kur BE-ja kushtëzoi nënshkrimin e MSA-së me 5 çështje, kanë mbetur aty e të paadresuara. Gjej shumë paralele mes paralajmërimeve të Oli Rehn asokohe me ato të Stefan Fyles sot. Bile, gjatë këtyre viteve na janë shtuar edhe 7 të reja”.
“Raporti i qeverisë në fushën e antikorrupsionit i ngjan atij të një pacienti që kërkon të shërohet thjesht dhe vetëm nga lista e gjatë e ilaçeve që merr (nënkupto miratim ligjesh apo strategjish), dhe jo nga impakti i tyre. Asnjë rezultat solid nuk është shënuar në lidhje me rastet e gjykimit të zyrtarëve të lartë. Mund t’ju tingëllojë ironike, por ju bëj thirrje, zonja ministre, që të krijoni një grup të përbashkët pune me Gjykatën e Lartë në lidhje me kulturën e pandëshkueshmërisë, e cila, me sa duket, ka marrë përsipër barrën e rëndë që ta çimentojë më tej atë e të shkatërrojë përmes praktikës së saj gjyqësore të gjithë ndihmën e vyer të partnerëve ndërkombëtarë në lidhje me programet e mbrojtjes së dëshmitarit”, u shpreh Bushati.
Debati Bregu-Balla
Taulant Balla: Ju, zonja ministre, jeni e fotografuar personalisht si drejtuese e institucionit tuaj dhe ministrisë tuaj në raportin e OSBE/ODIHR-it, ku thuhet qartë se punonjësve të administratës civile në një ministri në Tiranë, iu kërkua nga departamenti i burimeve njerëzore të marrin pjesë në mitingjet e PD-së dhe pjesëmarrja e tyre u kontrollua. Kjo është ministria juaj, zonja ministre. Nëse doni ju personalisht të ndihmoni në procesin e integrimit europian dhe në adresimin e prioriteteve që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, bëni mirë të rishikoni pozicionin tuaj në drejtimin e Ministrisë së Integrimit sepse e dëmtoni këtë aspiratë historike të shqiptarëve.
Majlinda Bregu: “Në rast se ju zot, Balla, e keni ndarë mendjen për të mos votuar dhe të na hidhni hi syve me prezencën tuaj dhe vetëm për të bllokuar procesin, besoj se këtë taktikë shumë e kanë kuptuar. Pastaj, përsa i përket pjesës tjetër, ti zotëri, i cili ke kënduar këngët e xhaxhit Enver kur xhaxhi Enver kishte vdekur, nuk pret njeri që të bësh hajër e të japësh kontribut në procesin e integrimit. Deduksionet e tua për raportin e OSBE/ODIHR-it ti e paske gjetur që paska qenë ministria në fjalë, dhe pse s’e shkruan raporti, kam përshtypjen që kur flet shumë, bën gabime shumë të mëdha, se nuk marrin lejen të gjithë dhe dorën tënde, pavarësisht ndonjë njeri mund të ta varë për qëllime të tjera.
(Menjëherë pas kësaj, ministrja Bregu ngihet dhe largohet nga mbledhja.)
Taulant Balla: Nuk ke pse e prish mbledhjen, mund të vazhdosh të flasësh sërish, je thirrur në Komision për t’u dhënë përgjigje pyetjeve tona.
Majlinda Bregu: Ti mund të vazhdosh të këndosh sërish për xhaxhin Enver.
12 prioritetet e KE
1-Rekomandimi i KE: Të garantohet funksionimi i Parlamentit mbi bazën e një dialogu politik të qëndrueshëm mes të gjitha partive politike.
Bregu: Dialogu ka qenë i pamundur për shkak të bojkotit të opozitës në parlament. Shpresojmë se me rikthimin në kuvend do të merremi me detyrimet e integrimit
2-Rekomandimi i KE: Të miratohen ligje të mbetura pezull që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Bregu: Maxhoranca, për çdo iniciativë, ndryshim që afron ligjet shqiptare me standardet ndërkombëtare apo afron procedurat shqiptare me ato evropiane, kjo maxhorancë do të jetë e hapur të pranojë çdo propozim tuajin.
3-Rekomandimi i KE: Të emërohet Avokati i Popullit.
Bregu: I qëndrojmë ftesës për propozimin e një kandidature që të jetë e pëlqyeshme nga opozita. Në momentin e parë që do të ketë një kandidaturë, ky rekomandim do të jetë i përmbushur plotësisht.
4-Rekomandimi i KE: Ndryshimet në kuadrin ligjor për zgjedhjet sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it.
Bregu: Nëse rikthimi dhe impenjimi i opozitës do të jetë serioz, shansi i parë për ta vërtetuar do të jetë tryeza për rekomandimet e OSBE-ODHIR-it dhe reformën elektorale.
5-Rekomandimi i KE: Të garantohet mbajtja e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare.
Bregu: Çdo propozim që nuk bie ndesh me rekomandimet e OSBE-ODHIR-it, është i mirëpritur nga maxhoranca.
6-Rekomandimi i KE: Të zhvillohet reforma në administratën publike.
Bregu: Është një reformë jo e lehtë edhe duke patur parasysh se korpusi i administratës publike nga viti në vit ka qenë problematik. Po konsultohen me të gjitha grupet e interesit të gjitha ndryshimet në ligjin për shërbimin civil.
7-Rekomandimi i KE: Forcimi i shtetit të së drejtës.
Bregu: Është miratuar strategjia ndërsektoriale për drejtësinë dhe plani i veprimit që synon të garantojë pavarësinë, efiçencën dhe përgjegjshmërinë e organeve të sistemit gjyqësor
8-Rekomandimi i KE: Lufta kundër korrupsionit.
Bregu: Rekomandimi për heqjen e imunitetit, i vetmi i paplotësuar: e vetme maxhoranca nuk mund të votojë, por propozimi i parë që vjen nga opozita do të jetë i mirëpritur.
9-Rekomandimi i KE: Lufta kundër krimit të organizuar.
Bregu: Janë duke u zbatuar aktivitetet e planveprimit, është forcuar koordinimi ndërinstitucional, po zbatohet strategjia e re kundër trafikimit të qenieve njerëzore, janë arritur rezultate në luftën kundër trafikut të drogës, pastrimit të parave
10-Rekomandimi i KE: Të hartohet strategjia për të drejtën e pronësisë.
Bregu: Ka një plan veprimi për zgjidhjen e çështjes së pronave dhe një premtim për të përfunduar brenda vitit 2013 hartën dixhitale, e cila do të krijojë mundësi të identifikohen problemet e pronësisë.
11-Rekomandimi i KE: Forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Bregu: Të gjitha aktivitetet e planifikuara janë zbatuar sipas planveprimit. Një prej tyre ishte miratimi në qershor të 2011 i strategjisë kombëtare të barazisë gjinore, është miratuar po ashtu në shkurt mekanizmi kombëtar për dhunën në familje
12-Rekomandimi i KE: Përmirësimi i gjendjes së të ndaluarve dhe të të burgosurve.
Bregu: Nuk ka krahasim me gjendjen në të cilën ishin burgjet në 2005 në Shqipëri, dhe këtu nuk po bëj dallim politik, por po them se është investuar shumë në infrastrukturë dhe në përmirësimin e standardeve
Aristir Lumezi
© Panorama.al











