Borxhi i institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore ndaj Ujësjellësit në Tiranë ka kapur vlerën 3.3 miliardë lekë. Në një njoftim për shtyp, Ujësjellës-Kanalizime Tiranë ka bërë me dije edhe institucionet që kryesojnë listën e debitorëve, në të cilën përfshihen disa ministri të rëndësishme. Faturat e papaguara të këtyre institucioneve kapin vlera marramendëse, ku listën e kryeson Ministria e Arsimit me institucionet në varësi të saj, me plot 1.7 miliardë lekë të papaguara. Pas saj renditet edhe Ministria e Shëndetësisë, me institucionet në varësi të saj, me 480 milionë lekë, Ministria e Mbrojtjes, me institucionet në varësi të saj me 310 milionë lekë e me radhë. Lidhur me këtë situatë, Ujësjellësi ka lajmëruar për ndërprerje të furnizimit me ujë të institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore debitore. Praktika e ndërprerjes së furnizimit me ujë ka filluar me qytetarët debitorë dhe nëse nuk paguhet fatura që institucionet kanë ndaj Ujësjellësit, ky i fundit paralajmëron se do të veprohet njëlloj edhe me institucionet. “UKT ka nisur ndërprerjen e furnizimit me ujë për të gjithë debitorët e saj në Tiranë dhe paralajmëron se i njëjti standard do të zbatohet edhe për të gjitha institucionet debitore”, thuhet në njoftimin e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë.
Institucionet debitore
– Ministria e Shëndetësisë 486 milionë lekë
– Ministria e Arsimit 1.7 miliardë
– Ministria e Mbrojtjes 311 milionë lekë
– Ministria e Turizmit 66 milionë lekë
– Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare 201 milionë lekë
– Njësitë bashkiake në Tiranë 104 milionë lekë
© Panorama.al











