INSTAT: Ryshfeti, 70 për qind ua japin mjekëve

Sep 22, 2011 | 11:05

Shqiptarët pranojnë se për të marrë shërbime publike nga administrata, jo rrallë u duhet që të paguajnë ryshfet, i cili, në vlerë mesatare arrin mbi 5 mijë lekë.Gjetjet e studimit që ka kryer Instituti i Statistikave së bashku me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin, detajojnë edhe sektorët se ku është më i përhapur ky fenomen dhe sa shqetësues është ai për qytetarët.
Studimi
Në fokusin e studimit të INSTAT-it janë 3561 individë, me të cilët u zhvillua një anketë përgjatë vitit 2010. Kjo anketë kishte në fokus përdorimin e shërbimeve publike dhe integritetin publik duke evidentuar se sa i pranishëm është korrupsioni dhe si perceptohet ai nga qytetarët. Në bazë të kësaj ankete u publikua dje edhe studimi i financuar nga Komisioni Europian, “Korrupsioni në Shqipëri: Ryshfetdhënia sipas përvojës së popullsisë”, i cili detajon se fenomeni i korrupsionit është problemi i dytë më i rëndësishëm pas papunësisë.
Gjetjet
Korrupsioni është më i pranishëm në zonat rurale, sesa në ato urbane, ndërkohë që ato që paguajnë më shumë janë femrat, dhe më pak meshkujt. Janë këto disa përfundime të studimit të INSTAT-it, të cilat tregojnë se në një vlerë mesatare, ryshfeti në vendin tonë është rreth 43 euro. Krahasuar me rajonin, Shqipëria paraqitet dukshëm më ulët për vlerën mesatare të ryshfetit, por, pa dyshim që prania e fenomenit është e gjerë. Kështu, nga të intervistuarit rezulton që mesatarisht 28.3 për qind e tyre janë të ekspozuar direkt ose jo në një eksperiencë të ryshfetdhënies me një zyrtar publik gjatë 12 muajve të fundit. Përgjithësisht ryshfeti jepet në cash, dhe jo në natyrë apo shërbime. Lidhur me nxitjen e korrupsionit apo ryshfetit, studimi nxjerr në pah se nuk janë vetëm punonjësit që e nxisin, por edhe vetë qytetarët, pasi ka raste kur ryshfeti jepet për mirënjohje. Në 30 për qind të rasteve, madje, ryshfeti ofrohet nga vetë qytetarët, kurse në mbi 50 për qind të rasteve ryshfeti është nënkuptuar nga zyrtari publik. Ndërkaq, është edhe një kategori tjetër, e cila përfaqësohet nga 10 për qind e të anketuarve, të cilët pranojnë se kërkesa për ryshfet u është bërë e qartë nga zyrtari. Të intervistuarit e INSTAT-it kanë pranuar se dhënia e ryshfetit lidhet ngushtë me mendësinë e marrjes së një trajtimi më të mirë, dhe kjo vërehet në përgjigjen e 70 për qind të qytetarëve. Nëntë për qind e tyre pranojnë se pagesa nën dorë ndihmon për të përshpejtuar procedurat, ndërkohë që 12 për qind e bëjnë për mirënjohje. Por, ka nga ata që ryshfetin e paguajnë për të shmangur ndonjë sanksion, siç ndodh rëndom në raste gjobash apo kundërvajtjesh. Më të korruptuar vlerësohen mjekët, për të cilët 70 për qind e personave të intervistuar pranojnë se kanë dhënë ryshfet, ndërkohë që vendin e dytë e zënë infermierët, me 47 për qind, dhe 14 për qind oficerët e policisë.

Gjetjet e studimit
28.3% e qytetarëve kanë qenë të ekspozuar direkt ose jo ndaj ryshfetdhënies gjatë 12 muajve të fundit.

19.3% e tyre kanë deklaruar se kanë paguar të paktën një ryshfet.

Dukuria e dhënies së ryshfeteve është më e përhapur në zonat rurale, sesa në ato urbane (20.9% kundrejt 17.7%).

Femrat në Shqipëri kanë tendencën të paguajnë më shumë ryshfet sesa meshkujt (21.3% kundrejt 17%).

Vlera mesatare e pagesës së një ryshfeti është 5710 lekë, ekuivalente me 43 euro.

Në 30% të rasteve ryshfetet i ofrojnë vetë qytetarët.

Në më shumë se 50%, ryshfeti është nënkuptuar nga zyrtari publik.

Rreth 10% e të intervistuarve deklarojnë se kërkesa iu është bërë e qartë nga zyrtari.

70% e qytetarëve paguajnë ryshfet për një shërbim më të mirë.

9% paguajnë për të përshpejtuar procedurën.

9% paguajnë për të shmangur një gjobë.

12% paguajnë për mirënjohje.

70% e personave deklarojnë se u kanë paguar ryshfet mjekëve.

47% deklarojnë se u kanë paguar ryshfet infermierëve.

14% deklarojnë se u kanë paguar ryshfet oficerëve të policisë.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura