Muaji prill ka vijuar me rritje të çmimeve për një pjesë të mallrave të shportës, çka ka bërë që inflacioni të mbetet sërish jashtë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Raporti i Institutit të Statistikave vlerëson se Indeksi i Çmimeve të Konsumit për muajin e katërt të vitit arriti 112.2 për qind, ndërkohë që inflacioni shënoi vlerën 4.1 për qind. Krahasuar me një vit më parë, kur inflacioni ishte 3.7 për qind, këtë vit rritja është më 0.4 për qind. Në shportën që matet për çmimet e konsumit, disa nëngrupe kanë pësuar ulje çmimi, ku i pari renditet ai i zarzavateve, çka lidhet edhe me fillimin e daljes në treg të prodhimeve të vendit. INSTAT vlerëson se nëngrupi i zarzavateve, përfshirë patatet, u ul me 12.6 për qind. “Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të kastravecëve me 49.5 për qind, spinaqit me 22.9 për qind, domateve me 19.0 për qind, patëllxhanëve me 18.6 për qind, specave me 11.8 për qind”, thuhet në raport. Ulje ndërkaq ka pësuar edhe indeksi i grupit “veshje dhe këpucë” me 0.3 për qind, brenda të cilit çmimet e veshjeve shënuan një ulje me 0.1 për qind, ndërsa çmimet e këpucëve 0.4 për qind. Favorizues për konsumatorët është shfaqur edhe grupi “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, që në ndryshim nga rritja e vazhdueshme për muaj të tërë, në prill indeksi shënoi ulje, edhe pse në vlera modeste prej 0.1 përqindësh. Të gjitha këto ulje nuk kanë mundur të balancojnë rritjen e çmimeve në grupe të tjera. Por, cilat janë këto grupe e nëngrupe? Këtu përfshihet indeksi i nëngrupit “fruta”, me rritje totale prej 4.0 përqindësh, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të limonëve me 8.8 për qind, portokajve me 7.6 për qind, mollëve me 6.5 për qind, kivit me 1.2 për qind. Rritje pësuan edhe nëngrupet bukë dhe drithëra, peshk, qumësht, djathë e vezë. Në prill u rritën gjithashtu edhe çmimet e karburanteve, ku sipas INSTAT-it, çmimi i naftës shënoi një rritje prej 2.4 përqindësh dhe çmimi i benzinës 0.2 për qind.
4.3 per qind
ishte inflacioni në muajin mars, ndërkohë që për prillin inflacioni ka mbetur sërish jashtë objektivit të Bankës së Shqipërisë, duke kapur vlerën 4.1 për qind nga 3(+-1), që synon ta mbajë BSH
Indeksi i çmimeve të konsumit
“Ushqime dhe pije joalkoolike” -1.5%
“Zarzavate, përfshirë patatet” -12.6%
“Fruta” + 4%
“Pije alkoolike dhe duhan” +0.1%
“Transporti” +0.7%
“Qira, ujë, lëndë djeg., energji” -0.1%
“Medikamentet” +0.1%
“Nafta” +2.4%
“Bukë dhe drithëra” +1%
“Veshje dhe këpucë” -0.3 %











