Është shkarkuar nga detyra e kreut të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar Erjon Softa, i cili u emërua në këtë detyrë gati tre muaj më parë, pas largimit të Gjergj Bojaxhiut. Motivacioni i shkarkimit të këtij të fundit gjatë shkurtit u lidh me disa nisma që Bojaxhiu ndërmori për shkatërrimin e një sërë ndërtimeve pa leje. Ndërkaq, zëvendësimi i Softës ka qenë i menjëhershëm dhe detyrën e re të kreut të Inspektoratit Ndërtimor e ka marrë Genc Dauti. Ky zëvendësim i menjëhershëm dhe në një kohë kaq të shkurtër nuk ka në fasadë asnjë ngjarje të jashtëzakonshme që mund të ketë sjellë këtë shkarkim dhe, nga ana e institucioneve përkatëse nuk bëhen me dije arsyet për këtë shkarkim, por largimi nga ky institucion i Softës vjen menjëherë pas zgjedhjeve lokale. Softa ishte pjesë dhe përkrahës i PDIU-së, ndërkohë që shkarkimi i tij nuk dihet nëse është bërë për ta kaluar në një tjetër pozicion, apo për të bërë thjesht një zëvendësim me një kandidat të ri. Kohëve të fundit ndryshimet në krerët e Inspektoratit Ndërtimor kanë qenë të shpeshta.











