Infermierët, 5% të infektuar në punë nga Hepatiti B

May 15, 2011 | 9:51

Infermierë e sanitarë, të infektuar me Hepatitin B.Punojnë çdo ditë me pacientët në spital dhe një pjesë e mirë e tyre e kanë marrë këtë sëmundje po aty. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se rreth 5 % e infermierëve dhe 7.3 % e sanitarëve janë pozitive për Hepatitin B.(HVB). Këto shifra janë nxjerrë pas një studimi të kryer nga departamenti i kontrollit të sëmundjeve infektive në ISHP. Niveli i vaksinimit kundër sëmundjes tek kjo kategori është jo e lartë. Por, me uljen e moshës së profesionistëve, kjo përqindje vjen në rritje. “Grupmosha 20-30 vjeç deklaron nivel vaksinimi deri në masën 32.4 %”, thuhet në studimin e ISHP. Nga sa kanë vërejtur specialistët, ka një lidhje gati të drejtpërdrejtë mes numrit të prekur nga sëmundja dhe aksidenteve me shpime ose me prerje që ata kanë pasur në punë gjatë viteve. Gati 55 % e personelit mjekësor, përfshi këtu infermierë e sanitarë që rezultojnë me Hepatit B, kanë pranuar se kanë pasur aksident me cpime(age shiringash apo vigonë) apo prerje me bisturi. Sa i përket grupmoshave, infermierët më të vjetër kanë prevalencën më të lartë, kjo sipas specialistëve edhe për faktin se vaksina masive në popullatë kundër Hepatitit B u bë pas vitit 1996. “Grupmosha 40-60 vjeç vetëdeklaron HVB (Hepatit B) rreth 6.5 %. Grupmosha 20-30 dhe 50-60 rezulton me 4 %”, thuhet në studimin e ISHP. Edhe sanitaret cilësohen me nivel të lartë sëmundshmërie, po t’i referohesh moshës. Këta të fundit kanë deklaruar se janë vaksinuar për sëmundjen në masën 43 %. Organizata Botërore e Shëndetësisë gjithashtu e vë personelin mjekësor ndër të parët e listës së personave të rrezikuar për t’u prekur nga Hepatiti, por edhe sëmundje të tjera infektive. Por duket se tek ne i jepet pak rëndësi këtij fakti qoftë nga vetë bluzat e bardha, qoftë edhe nga pacientët. “Duhen mbrojtur me vaksina veçanërisht grupet më të rrezikuar, të cilët janë punonjësit e shëndetësisë, si kirurgët maksilofacial, stomatologët, kirurgët, mjekët e përgjithshëm, infermierët, teknikët e laboratorit, punëtoret ndihmës në stomatologji, punonjëset e qendrës së hemodializës, hemofili apo në institucione ku mjekimi bëhet me gjak dhe preparate të gjakut, personat në institucione të onkologjisë, personat që manipulojnë me gjak dhe preparate të gjakut, higjenistët në institucione shëndetësore e sidomos në repartet për hemodializë, transfuzione, onkologji, pastrimin e epruvetave, në mikrobiologji, stomatologji etj., personat e ndihmës së parë”, thuhet në raportet e OBSH-së, lidhur me këtë problematikë. Të rrezikuar gjithashtu janë të sëmurët që i nënshtrohen shpesh marrjes së gjakut dhe preparateve të gjakut; të sëmurët me hemodializë dhe tumore, të sëmurët me sëmundjen e talasemisë, drepanocitemisë, cirrozës dhe hemofilisë. Një kategori që edhe nga analizat e kryera ka dalë me prevalencë të lartë të Hepatitit B, janë të burgosurit. Vaksina Smith-Kline, e njohur si Engerix-B, është e indikuar për aplikim te personat e grupeve të caktuara, të cilët janë të rrezikuar nga Hepatiti viral i grupit B. Kjo vaksinë jepet sipas indikacioneve të caktuara epidemiologjike, grupeve dhe individëve të caktuar. Vaksina nuk mbron nga Hepatiti viral A dhe Hepatiti viral C. Përparësia e vaksinës qëndron në faktin se mund të aplikohet në çdo moshë, prej momentit të lindjes dhe mbron prej të gjithë nëntipeve të Hepatitit B dhe indirekt edhe prej delta Hepatitit (duke pasur parasysh se kjo formë e Hepatitit nuk paraqitet pa praninë e Hepatit B.

8 per qind
e popullatës  në vendin tonë janë mbartës të Hepatitit B. OBSH sugjeron që në vendet ku prania e HBV është më e lartë se 7 %, vaksinimi duhet të jetë i obliguar menjëherë paslindjes. Tek ne, që prej vitit 1996, vaksina
është e detyrueshme.

5 per qind
e infermierëve dhe 7.3 % e sanitarëve janë pozitive për Hepatitin B.(HVB). Këto shifra janë nxjerrë pas një studimi të kryer nga departamenti i kontrollit të sëmundjeve infektive në ISHP.

Çfarë është Hepatiti B?

Shkaktohet nga virusi i Hepatitit B, një hepadnavirus i njohur si HBV (Hepatitis B Virus). Përhapet nëpërmjet seksit, shiringave dhe nga nëna shtatzënë tek bebja (njësoj si virusi HIV i SIDAs). 1-2 % e të sëmurëve bëhen bartës kronikë të virusit; përqindja është më e lartë në të sëmurët me mangësi imune dhe në fëmijët; deri në 90 % e bebeve të lindura nga nënat me Hepatit B bëhen bartës kronikë. Bartësit kronikë kanë rrezik të shtuar për cirrozë dhe kancer të mëlçisë.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura