
Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama dhe kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, zhvilluan dje një takim me prokurorët dhe oficerët e Policisë Gjyqësore të njësive Task-Force. Risia që prezantoi kryeprokurorja Ina Rama gjatë fjalës së saj në këtë takim ishte tendenca e Prokurorisë që në vazhdim të hetojë edhe për pastrim parash personat që dyshohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Gjatë fjalës së saj, Ina Rama theksoi se bashkëpunimi me KLSH-në ka marrë ritme të reja, duke përmendur trefishimin e kallëzimeve të depozituara për këto gjashtë muaj nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ina Rama tha se Prokuroria ka nisur hetimet për të gjitha këto kallëzime. Duke u përqendruar te risia e takimit të djeshëm, kryeprokurorja tha se Prokuroria duhet të orientohet drejt një hetimi që përfshin akuzat e pastrimit të parave bashkëlidhur me shpërdorimin e detyrës apo korrupsionin. Duke folur para vartësve të njësive Task-Force Antikorrupsion, drejtuesja e Prokurorisë kërkoi që “të rrisim në mendjen tonë, në mënyrë që të hetojmë përtej asaj që lidhet me shpërdorimin e detyrës apo vetëm me korrupsionin, por që lidhen edhe me pastrimin e parave”. Ina Rama tha se këto janë vepra që përgjithësisht prodhojnë përfitime materiale, që sigurisht, duhet të vishen në mënyrë të ligjshme për t’u gëzuar nga autorët e këtyre veprave. “Gjithë ky proces, tentativat për të bërë të ligjshme këtë pasuri të fituar në mënyrë kriminale, për këtë pastrimi i parave është vepër penale në Kodin tonë, një vepër dhe aktivitet që duhet të konsiderohet si prioritet”, tha kryeprokurorja. Nga ana tjetër, kreu i KLSH, Bujar Leskaj, kërkoi që Prokuroria të aplikojë masa pezullimi nga detyrat shtetërore për zyrtarët që merr në hetim, pasi ndodh shpesh që një person transferohet dhe vazhdon një detyrë tjetër shtetërore gjatë kohës që është në hetim për abuzimet që ka kryer në funksionin e mëparshëm. “Hapi i parë pas vlerësimit nga ana juaj e cilësisë së kallëzimit tonë, të jetë pezullimi nga ushtrimet publike i nëpunësit të denoncuar prej nesh. E theksoj këtë se na ka ndodhur rëndom që nëpunës apo drejtues të kallëzuar prej nesh, për faktin që ju zhvilloni një proces të drejtë, transparent dhe të paanshëm, pas disa kohësh me papërgjegjshmërinë e drejtuesve kalojnë në detyra të tjera publike”, tha kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj.











