
TIRANE – Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, prezantoi dje para kryeprokurorëve të rretheve 12 rekomandime të Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2012. Në takimin e organizuar në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme ishte i pranishëm edhe zv.ministri i Drejtësisë, Ermal Dobi. Rekomandimi i parë i qeverisë ishte “forcimi i shtetit të së drejtës për të garantuar pavarësinë, eficiencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve të sistemit të drejtësisë”. Rekomandimi i radhës ishte ai i forcimit të luftës kundër korrupsionit lidhur me ndjekjen dhe dënimin e çështjeve të korrupsionit në të gjitha nivelet. Në vijim rekomandimet drejtuar organit të hetimit kishin të bënin me forcimin e bashkëpunimit të Prokurorisë me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, përmirësimin e trajtimit të të drejtave të personave të ndaluar në komisariate, zbatimin rigoroz të rregullave procedurale mbi afatet e hetimit paraprak, apo edhe ngritjen e seksioneve në prokurori për hetimin e krimeve kompjuterike. Në fjalën e tij në takim, zv.ministri i Drejtësisë, Dobi, u shpreh se rekomandimet e dhëna janë mbështetur nga materiale të ndryshme të referuara nga institucione të ndryshme të shtetit si dhe në përputhje me strategjitë e përcaktuara nga Këshilli i Ministrave. ar.ba











