Në një letër publike para disa ditësh, Rama shpjegonte se përse i ishte drejtuar kancelarit austriak, për të ndikuar që të tërhiqej nga tenderi i shpallur fitues kompania që ka fituar të drejtën për Lotarinë Kombëtare. Bashkë me këtë shqetësim të shfaqur publikisht, Rama kërkonte që të mos e identifikonin opozitën me pushtetin e sotëm, aq më pak me bëmat për të cilat ai thotë se do të kërkojë transparencë pas ardhjes në pushtet. Por, në fakt, a duhet ne vërtet mos ta (para)gjykojmë opozitën e sotme për mënyrën se si sillet politikisht? A nuk duhet ne të shohim se si po i qaset pushtetit, se si e kërkon dialogun, se si përdor metodologjinë e mosvotimit apo votimit sa herë që diskutohet për diçka që ka të bëjë në mënyrë esenciale me pjesëmarrjen e tyre në Kuvend? Mjafton të shohim mënyrën se si kanë ardhur debatet lidhur me heqjen e imunitetit, për të kuptuar se jo opozita, por vetë Rama ka shfaqur një situatë të pakuptimtë, ose, siç e cilësonte me të drejtë Islami në analizën e botuar (gazeta “Panorama”) “me një politikë arsyetimesh naive”. Natyrisht, nuk ka asnjë arsye që shqiptarët të besojnë se me heqjen e imunitetit do të shmanget si me magji korrupsioni, se menjëherë zyrtarët do të jenë të zhveshur nga mbrojtja. Absolutisht nuk është kështu, sepse më së pari duhet krijuar një frymë ndëshkimi ndaj korrupsionit dhe të korruptuarve. Por, lojërat e Ramës e kthejnë debatin nga një nevojë për besueshmëri ndaj procesit antikorrupsion, në një nevojë për kuptueshmëri ndaj opozitës. Pra, kemi të bëjmë me një kosto që jo vetëm nuk lejon të kuptojmë nëse është apo jo imuniteti një pengesë për antikorrupsionin, por nuk i lejon as opozitës që të ndërtojë portretin e një pushteti të ardhshëm me debat luajal. Por, duket se Rama ka nisur fushatën elektorale për zgjedhjet e ardhshme dhe çdo debat politik e sheh si mundësi apo pamundësi për fushatë, e jo si diçka që ka të bëjë me të ardhmen e shqiptarëve, duke harruar që edhe socialistët që i ka mbështetje janë po shqiptarë që kërkojnë të përfitojnë jo vetëm nga marrja e statusit kandidat për në BE, por edhe nga një kuptueshmëri më e mirë e asaj që ne e konsiderojmë “koracë e imunitetit” e që është shfaqur deri sot si mburojë publike ndaj atyre që duken si të paprekshëm. Por, letra e Ramës më shumë ishte një frikë ndaj hapave të derisotme. Duke u kërkuar bizneseve që ta mirëkuptojnë për deklaratat e tij, ai në fakt thjesht pohonte se ka krijuar një kaos të çuditshëm. Një gjë e tillë mund ta fusë në një qorrsokak me tërë biznesin, madje edhe me ata që ai quan mbështetës, pasi fundi i fundit, shumica e tyre i përkasin botës së biznesit dhe punojnë edhe kur janë të djathtët, edhe kur janë të majtët në pushtet. Por, përkundër letrave apo deklaratave publike, Rama ka pasur në dorë të tregojë modelin e tij antikorrupsion edhe në ato bashki ku drejtojnë socialistët, e ku nuk janë të paktë. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Dhe ka pak gjasa të ndodhë. Sepse Rama e mendon betejën me karrigen e Kryeministrit, dhe jo me atë që i përket qytetarit. Kjo lojë, që nuk ka ndryshimin mes gushtit dhe shtatorit, por mes fushatës elektorale që ka nisur Rama, rrezikon ta çojë përpara zgjedhësve si një person pa alternativa, duke ndëshkuar të gjithë të majtën, e veçanërisht ata socialist që e njohin mirë pushtetin për shkak të karrierës së tyre, të cilët po vijojnë të heshtin me shpresën që të mos jenë të larguarit prej Ramës nëse e kundërshtojnë atë për hapat që hedh.
© Panorama.al












