A kemi fituar ne si qytetarë imunitet ndaj korrupsionit? Me frekuencën e lartë me të cilën na paraqiten rastet korruptive të zyrtarëve që pothuajse kurrë nuk përfundojnë pas hekurave, sigurisht që edhe një farë imunitetit e kemi fituar. Aq shumë flitet për korrupsionin, saqë ka filluar të mos na bëjë më përshtypje, duke e ditur tashmë se asgjë nuk ndodh prej tij. Që nga kryehajduti me thasë e deri tek ata më të vegjlit zyrtarë me trasta apo me xhepa, të gjithë flasin vetëm për luftën kundër tij (duke fuqizuar pozicionet dhe mirëqenien e tyre personale pikërisht nëpërmjet korrupsionit). Akuzat e palëve në Parlament nuk kanë të sosur: hajdut i parave të rrugës së kombit, hajdut i tenderëve, hajdut i koncesioneve, bandit i eksporteve, babëzi i ndërtimeve, rrjepës i investimeve publike, shpërdorues i fondeve të bashkisë, kusar i valixheve të shtetit. Ç’nuk na dëgjojnë veshët. Ndëshkime hiç. Maksimumi, ndonjë gjyq nga këto të modës për shpifje del në qarkullim në kuadrin e publicitetit të palëve, e me kaq mbyllet edhe akuza për korrupsion.
Që kur kanë filluar të shkruhen raportet e progresit me nënshkrimin e MSA-së e deri sot, edukatorët nga Perëndimi po mundohen të na thonë herë rreth e rrotull e herë drejtpërdrejt që të kemi kujdes me korrupsionin. Këto ditë, kreu i OSBE-së i ra pak më shkurt e më qartë fjalisë që tani jo se nuk e kuptojmë, por nuk na bën më efekt: “Të jepen dënime të ashpra për korrupsionin. Të hiqet edhe imuniteti për deputetët që përfshihen në raste të tij”.
Bukur shumë. Si vargu i radhës i një poezie të gjatë duket kjo deklaratë. Pse? Sepse eksperienca e viteve të fundit nuk na servir asnjë rast të vetëm ku të jetë ndëshkuar ndonjë nga ata burrat e gratë që akuzojnë njëri-tjetrin për miliardat me të cilat të 140-tw kanë sistemuar jetët e tyre e të atyre që vijnë më pas; e as nuk kemi ndonjë shembull që fjala e ndërkombëtarëve të ketë dridhur nga themelet sjelljen e mikpritësve shqiptarë të politikës. Paskemi fituar kështu imunitet për dy gjëra: ndaj korrupsionit dhe ndaj luftës kundër tij. Në paketë përfshihen dhe thirrjet sa për të kaluar radhën, që na vijnë nga lart.
Mosbesimi publik në luftën kundër korrupsionit vjen thjesht, qartë dhe kristal i pastër nga politika. Përderisa në 20 vite sistemi parlamentar shumëpartiak i vetmi politikan që ka shpenzuar kohë në burg është Fatos Nano, ç’të besosh se lufta kundër korrupsionit qenka efektive? Edhe ai përfundoi në Tepelenë për arsye që nuk kanë lidhje me korrupsionin, ndaj si mund të mirëpresim tani llokumin e radhës “Ndëshkoni korrupsionin. Hiqni imunitetin”? Po këtu deputeti të heq qafe (ka pasur edhe plumba në Parlamentin tonë); këtu hajduti është miku më i ngushtë i politikanit e ky i fundit është më i mirë se i pari në profesionin fisnik të hajdutërisë së ligjshme. Së fundi madje, palët as kanë nevojë për miq të rinj, se aq profesionistë e të lidhur me njëri-tjetrin janë bërë bizneset e interesat e politikanëve djathtas e majtas, sa nuk ka më nevojë fare për hajdutë ordinerë të tipit falsifikatorë dosjesh tenderimi apo specialistë favorizimi, duke përdorur pikë e presje kornizën e shkatërruar ligjore, të cilën e hap çdo çelës korruptiv.
Kush do t’i ndëshkojë politikanët e korruptuar? Cila gjykatë? Ajo e mbushur me të emëruar që kanë paguar shuma marramendëse për një emërim, apo ata që servilosen natë e ditë sikur të mos u kishte ngelur asnjë pikë dinjitet a integritet? E në daltë ndonjë gjykatës që e dashka drejtësinë, në rastet e deputetëve, politikanëve, njerëzve të vetëshpallur me peshë e me influencë, o do sillet si pulë, o do e dërgojnë të bëjë qypa nën tokë. Historia e freskët flet në këtë rast, jo hamendësimet ndaj sistemit të kapur deri në skutën më të vockël nga korrupsioni.
Pra nuk ka të ndëshkuar. Edhe në ka, për pak ditë a kohë lirohen pa asnjë zhurmë. Se vendimet dhe ndëshkimet e ashpra janë për popullin, jo për politikanët. Ata, larg qoftë, janë të paprekshëm. Ndaj është e kotë të shpresosh sot se rekomandimet e edukatorëve që na ka dërguar Euro-Amerika do t’i hyjnë kujt në punë.
Korrupsioni është si grami, ai bari i egër që mbin ngado që ta hedhësh, e sado i thatë të duket. Në krye përmasat e tij (korrupsionit), i shohim në formën e rrugëve që shtrohen brenda natës, në ndryshimet pa plan e pa nishan që u bëhen hapësirave publike, në mbirjen e muzeve prej mermeri që në Shqipëri quhen “qendra tregtare” dhe në zhvillimet ndërtimore, universitare, tregtare apo politike të nivelit të artë. Ec para pa të hyrë gjemb në këmbë, bjeri me top e kalo lumin ligjor pa u lagur, e politikanët i shohim sot të shndërruar në mjeshtër të vërtetë të abuzimit e të bërtitjes në emër të luftës kundër atij që aplikojnë vetë, natë e ditë.
Kjo sjellje, pa asnjë reduktim në vrullin për të zhvatur, keqpërdorur, abuzuar e shfrytëzuar postin, duket edhe në nivele më të ulëta, në bashkitë apo komunat që dalin pronarë brigjesh e pyjesh, apo edhe në profesionistë të tjerë që mendojnë se gjithçka që i përket shtetit, publikut, të tjerëve, mund të jetë e tij pa asnjë lloj dyshimi. Tek e fundit, asgjë nuk ka për ta gjetur, as për ta ndëshkuar.
Maksimumi i ndëshkimeve, do të rrijë në nivelin e atyre që vjedhin pulla poste apo shërbime të tjera të kësaj kategorie. Kurse ata që shkaktojnë korrupsionin e niveleve të larta, që sjell ringjitjen e Shqipërisë në klasifikimin e vendeve ku korrupsioni është ulur në krye të qoshes, ata nuk pësojnë asgjë. Kjo sepse këta njerëz kanë fituar imunitet ndaj frikës apo moralit për të mos bërë korrupsion, e ne si popull kemi parë e dëgjuar aq shumë për të, saqë tashmë nuk na bën më asnjë përshtypje bërtitja në emër të tij. Pra edhe ne kemi fituar imunitet ndaj fjalës “korrupsion”, sepse kemi humbur besimin që për të mund të ndëshkohesh.
Derisa të fillojë kjo marrëdhënie e re mes korrupsionit e ndëshkimit, mund të vazhdojmë të jetojmë të pabezdisur nga imuniteti që me kaq kujdes na kanë bërë të përftojmë të njësuarit me korrupsionin; politikanët, dora vetë.
Kur akuzat parlamentare të shndërrohen në akuza prokurorie e dënime gjykate, atëherë mund edhe të shpresojmë se do të kthejmë edhe këtë faqe të zezë të zhvillimit tonë problematik. Deri atëherë, të gjithë imunë!
© Panorama.al












