Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ishte dje në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, në një dëgjesë të thirrur nga opozita. Raportimi i ministrit Imami nuk mundi t’u shpëtonte debateve me opozitën lidhur me modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare, tashmë pjesë e NATO-s, funksionimit të SHIU-t, dhënies së gradave në Ushtri, por dhe prezencës ende në reparte ushtarake të lëndëve të rrezikshme helmuese ushtarake. Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, kryesisht të opozitës, lidhur me rolin e Shërbimit Ushtarak Informativ, ministri i Mbrojtjes tha se ai nuk ka dalë asnjëherë nga funksioni i tij brenda ushtrisë, ndërsa bëri të ditur se po bëhet gati dhe një ligj për të. “Reforma për SHIU-n është bërë plotësisht me partnerët, madje nën monitorimin rigoroz të partnerëve. Mbi bazën e këtyre reformave po përgatitet një draft, jo për të krijuar një palosje me SHISH-in, por për të përcaktuar më qartë dhe më mirë dhe misioni i SHIU-t do të jenë Forcat e Armatosura dhe autoritetet e komandimit. Aktualisht SHIU nuk implikohet në asnjë rast jashtë Forcave të Armatosura”, u shpreh Imami. Gjatë debatit, nënkryetari i Komisionit, Ilir Gjoni, tha se lëndët kimike nuk janë asgjësuar të gjitha. “Lidhur me lëndët helmuese luftarake, reagentët, unë kam një dokument të Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të eksporteve që ka një listë me disa reagentë, të cilët i referohen repartit ushtarak 4305. Për hir të ruajtjes së këtij informacioni, nuk po përmend elementet e këtij informacioni. Na e thoni, a jeni në dijeni, apo jo? Dua ta verifikoni në repartin 4305 për LHL (lëndët helmuese luftarake). Nuk mund të jap më shumë informacion se e cilësoj të klasifikuar”, u shpreh Gjoni. Lidhur me gradat në Ushtri, Imami tha se jo gjithmonë komisionet kanë dhënë klasifikime realiste, ndërsa është dashur dhe të anulohen disa gradime.
Debatet në komisionin e sigurisë
Ilir Gjoni: A ka armë kimike dhe bakteriologjike në Shqipëri?
Arben Imami: Nuk ka armë të tilla. Ato janë shkatërruar me programin amerikan. Ka lëndë kimike, por jo luftarake. Kemi benzinë avionësh të viteve ’80. Këto hyjnë tek materialet e tepërta të panevojshme dhe po punojmë për asgjësimin e tyre sa më shpejt të jetë e mundshme.
Ilir Gjoni: Lidhur me lëndët helmuese luftarake, reagentët; unë kam një dokument të autoritetit të kontrollit shtetëror të eksporteve që ka një listë me disa reagentë, të cilët i referohen repartit ushtarak 4305. Për hir të ruajtjes së këtij informacionit, nuk po përmend elementët e këtij informacioni, na e thoni a jeni në dijeni apo jo?
Arben Imami: Kam përshtypje se di diçka, por mund të flasim pa media.
Ilir Gjoni: Dua ta verifikoni në repartin 4305 për LHL(lendet helmuese luftarake). Nuk mund të jap më shumë informacion se e cilësoj të klasifikuar.
Arben Imami: Reforma për SHIU-n është bërë plotësisht me partnerët madje nën monitorimin rigoroz të partnerëve. Mbi bazën e këtyre reformave po përgatitet një draft, jo për të krijuar një palosje me SHISH-in, por për të përcaktuar më qartë dhe më mirë dhe misioni i SHIU-t do të jenë forcat e armatosura dhe autoritetet e komandimit. Sot nuk e kemi gati këtë projekt i cili do të konsultohet me të gjithë aktorët. Aktualisht SHIU nuk implikohet në asnjë rast jashtë forcave të armatosura
Pirro Lutaj: Zoti Ministër keni luajtur nga boshti ligjor në vlerësimin e gradave dhe keni krijuar një problem mes ushtarakësh dhe ata jua lënë juve këtë përgjegjësi.
Arben Imami: Lidhur me vlerësimin për gradat: Kam folur me shefin e Shtabit pasi kam vërejtur se komisioni aktual në disa raste ka vënë nota që janë me diferencë më shumë se dy për lidership. Kam urdhëruar të kthehet prapa ky vlerësim, dhe nëse nuk e bëjnë do ngremë një komision të ri. Cili është problemi: Ka ushtarakë që kanë kryer detyra të rëndësishme, hapur ose mbuluar, detyra të rëndësishme kombëtare, brenda ose jashtë për të cilët ai komision gradash nuk e ka informacionin. I kamë thënë shefit të shtabit që për disa raste dhe me motivacion të japë vlerësimin e këtyre ushtarakëve.
Armando Prenga: Shefi i Shtabit të Përgjithshëm është akuzuar nga kabllogramet e Wikileaks për korrupsion. Ju keni një koment?
Arben Imami: Lidhur me pyetjen e zotit Prenga, nuk kam ndërmend të komentoj Wikileaks-in. Unë asnjëherë në jetën time nuk i gjykoj njerëzit me letra dhe mesazhe anonime.











