“S’kemi çuar armë në Libi, shitjet u raportuan në OKB”
Shqipëria ka shitur rreth 2500 tonë municione gjatë vitit 2011, por asnjë ton nuk ka shkuar drejt Libisë. Këtë e bëri të ditur dje ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, në konferencën për shtyp, ku analizoi punën vjetore të dikasterit që ai drejton. “Në fakt, zhurma e bërë këtu brenda për këtë çështje ndikoi negativisht në shitje. Në qoftë se gjatë vitit të kaluar ne kemi shitur rreth 4 mijë tonë municione, këtë vit jemi më pak se 2500 tonë. Nuk i kemi realizuar ato objektiva që do të dëshironim. Sigurisht që është shumë më mirë të shesësh, sesa të demontosh apo të shpërthesh, që ka një kosto më të lartë”, u shpreh Imami. Ai theksoi se “fakti është që në fillim të vitit u hap problemi i Libisë. Në fakt, Ushtria shqiptare, Ministria e Mbrojtjes nuk ka shitur asnjë armë në Libi. Ne gjithçka që kemi shitur e kemi pasqyruar në mënyrë transparente në Agjencinë e Kontrollit që është për këtë çështje (AKSHE), raport, i cili botohet nga OKB-ja. Botimi i këtij raporti bëhet edhe online, është i njohur për të gjithë, pra ka transparencë të plotë”. Lidhur me reformën në Forcat e Armatosura, ministri u shpreh se kriter ishte vjetërsia në moshë e gjeneralëve. Në të njëjtën kohë ai tha se reduktimi te Forcat e Armatosura do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm. “Reduktimi i efektivëve të FA mund të shkojë rreth 800, edhe pse këtu nuk është fjala për personelin konkret, flas edhe për misionin, pasi ne do të plotësojmë personelin për të gjitha misionet e tjera, sepse sigurisht që edhe shtohen për logjistikën, për misionet jashtë vendit, për kompletimin e batalioneve tona të këmbësorisë, për Forcat Speciale, atyre Komando e kështu me radhë. Ky është një vlerësim, i cili do të ecë hap pas hapi”, tha më tej Imami. Duke raportuar për demontimin e municioneve, ministri i Mbrojtjes u shpreh se i gjithë procesi përfundon në vitin 2013. “Prej pothuajse tri vitesh ne jemi në garë me standardet që i përcaktuam vetvetes për demontimin e municioneve të tepërta. Nëse gjatë vitit 2010 arritëm të demontojmë 20 653 tonë municione, ose rreth 3.2 herë më shumë se në vitin 2009, gjatë vitit 2011 janë demontuar 26 500 tonë, çka përbën një shenjë garancie për realizimin e objektivit të qeverisë shqiptare për ta mbyllur brenda vitit 2013 çështjen e demontimit të municioneve të tepërta”, theksoi Imami.
26500 tone
Sipas ministrit, gjatë këtij viti u demontuan 26 500 tonë municione, ose rreth 6 mijë tonë më shumë se vitin e kaluar. Procesi do të përfundojë në vitin 2013
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











