
Kreu i LSI-së akuzon kryesocialistin se i ka bërë presion Prokurorisë për disa vendime korruptive
“Ftesë kreut të PS për ballafaqim me video origjinale, e jo të montuara”
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, kërkoi dje një ballafaqim televiziv me Edi Ramën për të bërë transparencën e secilit para drejtësisë. Meta tha se sekretari Ligjor i LSI-së, avokati Spartak Braho, ka një video ku tregohet se kush i bën presion Drejtësisë për afera korruptive. Sipas tij, “rezultati ka qenë ndoshta më i thellë seç duhet, por ç’të bëjmë që e vërteta është kaq e kristaltë. Rezultati ka qenë 5 me 0”. “Unë dua vetëm dy minuta kohë për të transmetuar diçka në video dhe në audio, meqenëse Edi na futi video-politikën në politikën shqiptare, për të parë të gjithë se vërtet kush ndërhyn te Prokuroria për të pushuar çështjet e korrupsionit, kush ndërhyn te gjyqtarët për qëllime politike dhe për të mos e luftuar vërtet korrupsionin. Kjo bëhet në emër të transparencës. Unë nuk kam, por avokati i madh dhe prokurori i përhershëm, pavarësisht se është në detyrë apo në pritje, z. Braho, ka diçka, e cila ishte tepër pozitive për hir të transparencës që e ka Edi si kërkesë, si nevojë, si apel”, u shpreh Meta. Ai e ftoi Ramën të dalin dhe të ballafaqojnë para shqiptarëve argumentet dhe faktet e tyre lidhur me Drejtësinë dhe presionin që i bëhet asaj. “Në qoftë se Edi do vërtet transparencë dhe në qoftë se Edi do vërtet që të ballafaqohet para të gjithë shqiptarëve, para të gjithë ndërkombëtarëve lidhur me atë që i quan vdekja e Drejtësisë, në atë që ai e quan presioni ndaj gjykatave, prokurorëve, Prokurorisë së Përgjithshme, Shërbimit Informativ etj., unë e ftoj që duke filluar nga sot dhe kur të dëshirojë në emisioni ‘Fiks Fare’, të dalë para shqiptarëve dhe le të ketë kohë sa të dojë në dispozicionin për të dhënë prova, për të dhënë fakte, për të dhënë video, për të dhënë audio, për të dhënë letra, për të dhënë dokumente për kapjen që mund t’i jetë bërë Gjykatës, Prokurorisë nga qeveria, nga Kryeministri apo dhe nga unë”, u shpreh dje Meta në një prononcim për mediat, pas protestës që zhvilluan të rinjtë e FRESSH-it të Tiranës për vendimin e Gjykatës së Lartë ndaj tij. Duke ironizuar protestën e FRESSH-it, Meta tha se Rama është kthyer në biznesmeni i funeraleve. “Ndërsa për biznesin e ri të funeraleve mendoj që nuk është normale dhe njerëzore të ecim në këtë drejtim. Përpara se të vazhdojë me këtë lloj biznesi që e ka kaq shumë për zemër, do të ishte shumë mirë miku im i dashur Edi të kërkonte falje për gjendjen me të cilat i la varrezat e Tiranës për gati 11 vjet si kryetar bashkie dhe këtë gjë e dinë të gjithë qytetarët e Tiranës. Se e ka humbur Bashkinë apo bankën, siç thonë miqtë e tij më të afërt, nuk është ndonjë fatkeqësi e madhe”, u shpreh Meta.
Vendimi për Metën, FRESSH protestë me arkivol para qeverisë
Vendimi i pafajësisë nga Gjykata e Lartë për ish-zv.kryeministrin Ilir Meta ka ngjallur dje reagimin e të rinjve të FRESSH-it. “Shteti nën dhunën e pushtetit vrau drejtësinë në Shqipëri”. Kështu e cilësuan të rinjtë e degës së Tiranës vendimin 5 me 0 në favor të kryetarit të LSI-së. Dhjetëra të rinj me një arkivol në duar protestuan para Gjykatës së Lartë. Në arkëmort shkruhej: “Drejtësia Vdiq”. Më pas të rinjtë i janë drejtuar, përmes bulevardit, godinës së Kryeministrisë. Në deklaratën e shpërndarë nga Partia Socialiste thuhet: “Shteti i nënshtruar ndaj pushtetit duke shpallur pafajësinë e Ilir Metës, dje duke mohuar Drejtësinë për Gërdecin, dje edhe sot duke mohuar Drejtësinë për 21 janarin, e ka vrarë Drejtësinë në Shqipëri”. Të rinjtë e FRESSH të degës së Tiranës janë tubuar edhe përpara godinës së Kryeministrisë pikërisht në momentet që aty zhvillohej një mbledhje qeverie. Një nga përfaqësueset e FRESSH-it, gjatë tubimit para Kryeministrisë, tregoi arsyen dhe simbolikën e kortezhit mortor: “Sot ne varrosëm Drejtësinë shqiptare”.
Avokati i Metës: Nesër do bëj gjithçka publike
Braho: Nuk janë dy minuta, janë rreth 180 minuta video

Sekretari për Çështjet Ligjore në LSI dhe njëkohësisht koordinatori i mbrojtjes ligjore i Ilir Metës në çështjen e video-përgjimit, Spartak Braho, tha dje për “Panorama” se videoja që disponon nuk është vetëm dy minuta. “Nuk është vetëm dy minuta, por rreth 180 minuta, një video me fakte tronditëse dhe shokuese që do të bëhet publike ndoshta nesër”, u shpreh Braho. Ai refuzoi në mënyrë kategorike të jepte ndonjë detaj rreth përmbajtjes dhe personave që janë filmuar në këtë video, për të cilën kreu i LSI-së hodhi disa piketa. Sipas tij, bëhet fjalë për persona që i bëjnë ndërhyrje dhe presion Prokurorisë për çështje korruptive.
Pak ditë më parë ishte deputeti Dritan Prifti, i cili kishte deklaruar se do të fliste dhe do të shprehte qëndrimin e tij për vendimin e Gjykatës së Lartë ndaj Ilir Metës.
Vendimi për Metën, FRESSH protestë me arkivol para qeverisë
Vendimi i pafajësisë nga Gjykata e Lartë për ish-zv.kryeministrin Ilir Meta ka ngjallur dje reagimin e të rinjve të FRESSH-it. “Shteti nën dhunën e pushtetit vrau drejtësinë në Shqipëri”. Kështu e cilësuan të rinjtë e degës së Tiranës vendimin 5 me 0 në favor të kryetarit të LSI-së. Dhjetëra të rinj me një arkivol në duar protestuan para Gjykatës së Lartë. Në arkëmort shkruhej: “Drejtësia Vdiq”. Më pas të rinjtë i janë drejtuar, përmes bulevardit, godinës së Kryeministrisë. Në deklaratën e shpërndarë nga Partia Socialiste thuhet: “Shteti i nënshtruar ndaj pushtetit duke shpallur pafajësinë e Ilir Metës, dje duke mohuar Drejtësinë për Gërdecin, dje edhe sot duke mohuar Drejtësinë për 21 janarin, e ka vrarë Drejtësinë në Shqipëri”. Të rinjtë e FRESSH të degës së Tiranës janë tubuar edhe përpara godinës së Kryeministrisë pikërisht në momentet që aty zhvillohej një mbledhje qeverie. Një nga përfaqësueset e FRESSH-it, gjatë tubimit para Kryeministrisë, tregoi arsyen dhe simbolikën e kortezhit mortor: “Sot ne varrosëm Drejtësinë shqiptare”.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al












