Ilir Kumbaro refuzon t’i përgjigjet Gjykatës

Sep 29, 2011 | 11:09
Ilir Kumbaro

TIRANE – Letërporosia e mbërritur në Gjykatën për Krimet e Rënda nga ana e autoriteteve angleze për llogari të procesit gjyqësor “Remzi Hoxha”, nuk përmban dëshminë e Ilir Kumbaros. Kumbaro nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve të dërguara me letërporosi, duke pretenduar se ishte Shaqa Shatri. Ndërkohë, Prokuroria për Krimet e Rënda ka këmbëngulur që presoni në fjalë është Ilir Kumbaro dhe se ai duhet t’u përgjigjet pyetjeve. Lajmi u bë i ditur në seancën e radhës gjyqësore në ngarkim të tre ish-agjentëve të Shërbimit Informativ, të akuzuar për rrëmbimin me pasojë zhdukjen të biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Dje, Krimet e Rënda administruan përkthimin në shqip të letërporosisë të mbërritur një javë më parë. Referuar përmbajtjes së letërporosisë, mësohej se i pandehuri Kumbaro nuk kishte pranuar të përgjigjej. Fillimisht, ai është njoftuar nga autoritetet angleze përmes postës në adresën e tij, por prej tij nuk ka pasur përgjigje. Po sipas përmbajtjes, në një nga paraqitjet e tij në polici, ai është përballur me kërkesën e dërguar nga Gjykata për Krimet e Rënda. “Nuk jam unë ai. Jam Shaqa Shatri”, mësohet të jetë shprehur ai, pa pranuar t’u përgjigjet pyetjeve të letërporosisë. Letërporosia me përgjigjen e autoriteteve angleze në lidhje me pyetjen e të pandehurit Ilir Kumbaro mbërriti vetëm një javë më parë tek Krimet e Rënda, pas shumë javësh pritjeje. Ndërkohë, pezull ka mbetur edhe masa e sigurisë “arrest me burg”, dhënë nga Apeli i Krimeve të Rënda për Kumbaron, ankimi ndaj së cilës pritet të shqyrtohet nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë.          ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura