Ikën, se nuk pranon të tolerojë

May 5, 2011 | 12:21

Trajneri i Tiranës, Misho Krstiçeviç, ka braktisur skuadrën një orë para ndeshjes, duke u larguar kështu nga stadiumi “Selman Stërmasi”. Drejtuesit, për të fshehur fillimisht të vërtetën, thanë se u sëmur, ndaj edhe iku të qetësohet, mirëpo e vërteta doli në shesh shumë shpejt. Më qesharakja qe kur u tha se ishte “ftohur”, pasi e kishte zënë shiu që ra paradite në kryeqytet. Në fakt, trajneri nuk kishte pranuar që përballja me Bylisin të tolerohej, ndaj dhe vendosi që më mirë të mos e drejtonte ekipin në këtë ndeshje, ndoshta edhe në vazhdim. I acaruar nga mënyra se si procedohet këtu në Shqipëri, ai u ka thënë drejtuesve se nuk mund të jetë trajner në këtë mënyrë. Për rrjedhojë, ka vendosur të mos ishte i ulur në pankinë, për të mos u bërë kështu pjesë e teatrit. Mësohet që trajneri t’u ketë thënë lojtarëve se nuk mund ta pranojë një gjë të tillë, pasi i duket vetja si kukull, e madje se po mendon edhe kthimin në shtëpi, pra në Kroaci.

© Panorama.al

Te lidhura