Qendër të patriotizmit shqiptar e ka konsideruar Tropojën kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, gjatë takimit elektoral që pati në këtë qytet. Dhe për këtë cilësim, Idrizi jep dhe argumentin e tij: “Ne kemi qenë të parët që kemi folur për idenë e bashkimit kombëtar, që nis nga ekonomia. Kjo ide merr kuptim të madh këtu në Tropojë. Unë, ne, s’ndihemi në kufi të Shqipërisë, por falë Rrugës së Kombit, falë çlirimit të Kosovës, ne ndihemi në zemër të Shqipërisë”, tha Idrizi, i cili ka çelur ndërkohë në Tropojë edhe degën e PDIU-së. Më tej ai shprehu bindjen e tij se Shqipëria dhe Kosova do të bëhen një fuqi rajonale energjetike në rajon, në çastin që do të bashkojnë ekonomitë e tyre, sipas programit të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Idrizi kërkoi mbështetjen e të gjithë patriotëve shqiptarë në këtë projekt ambicioz të PDIU-së.
Spahiu: Fitojmë të vetëm një komunë
Laçi ka qenë ndalesa elektorale e radhës për kryetarin e PLL-së, Ekrem Spahiu. Në takimin e zhvilluar në Pallatin e Kulturës, ai u ka dhënë mbështetje kandidatëve të koalicionit për kryetarë të njësive vendore dhe atyre për këshilltarë të PLL-së. “Në rrethin e Kurbinit, PLL ka elektorat të qëndrueshëm. Duke kandiduar e vetme, PLL ka të arkivuar fitoren e një komune dhe të këshilltarëve të shumtë në të gjitha njësitë vendore të këtij rrethi”, tha Spahiu, i cili drejtoi thirrjen: “I bëj thirrje elektoratit të Laçit, Mamurrasit, Milotit dhe Fushë-Kuqes që të votojnë në maxhoritar kandidatët e Aleancës për Qytetarin dhe PLL-në në proporcional!”.
Mediu
Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, zhvilloi një takim në Fier, në mbështetje të kandidatit të koalicionit të djathtë, Ilir Bele. “Jemi këtu për flamurin tonë, i cili ka zënë tashmë vend ndërmjet flamurit të BE-së dhe NATO-s. Duke na bërë të përgjegjshëm për të menduar për të gjithë ata që ranë në emër të tij dhe për të gjithë ata që në vitet që vijnë do të përulen me respekt dhe krenari përpara tij, përpara flamurit të NATO-s dhe BE-së. Ne besojmë në vendin tonë, ku gjithsecili, pa dyshim, ka besimin dhe gjykimin e vet, por ne jemi të bashkuar si shqiptarë, sepse ne ndajmë të njëjtat shpresa dhe të njëjtat qëllime: Shqipërinë europiane”, tha Mediu.
© Panorama.al











