“Ia kanë vënë shkelmin në fyt qytetarëve”- Aktivisti nga sheshi i protestës së 52-të: Do qëndrojmë këtu derisa kryeministri dhe qeveria e korruptuar të largohet!

Jul 21, 2026 | 20:11

Në ditën e 52-të të protestës popullore dhe rezistencës qytetare nga sheshi para Kryeministrisë, një prej aktivistëve që hapi me fjalim ditën e sotme të revoltës, tha se nuk do largoheshin nga rezistenca deri në largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij të korruptuar.

Ai kërkoi ndryshime kushtetuese që i hapin rrugën zgjedhjeve të lira pas qeverisë tranzitore.

“52 ditë në shesh për të bërë të mundur ndryshimin që ky kryeministër dhe kjo klasë politike nuk e bën dot për 36 vite. Nuk e di sa ditë do na duhet të qëndrojmë por jam shumë i sigurt se të gjithë njëzëri do jemi këtu deri në ditën që ky kryeministër do japë dorëheqjen. Një dorëheqje që i hap rrugë ndryshimeve epokale që kjo klasë politike nuk e bëri të mundur. Një dorëheqje që i hape rrugën qeverisë tranzitore dhe ndryshimeve kushtetuese ligjore për të pasur zgjedhje të lira dhe të pavarura”, tha ai.

Më tej ai shpjegoi përse ishin të nevojshme edhe ndryshimet ligjore e kushtetuese. Aktivisti përshëndeti edhe protestën e mbajtur sot nga qytetarët e Prrenjasit.

“Këto ndryshime ligjore kushtetuese duhen për ta ndryshuar këtë sistem që është hapur nga nepotizmi, krimi dhe korrupsioni. I përgëzoj sot qytetarët që kanë dalë në Prrenjas për të protestuar kundër kësaj klase politike, këtij kryeministri dhe qeverisë që për vite me radhë kontribuoi në shpopullimin e vendit dhe Prrenjasit. Jemi dëshmitarë se për vite me radhë është punuar për ta shpopulluar”, vijoi ai.

Në fund aktivisti bëri thirrje për rezistencë deri në rënien e qeverisë, e cila sipas tij, jo vetëm ka shpopulluar vendin dhe po boshatis edhe bashkitë e mëdha, por u ka vënë shkelmin në fyt qytetarëve.

“Rezistenca është detyrim jo vetëm për ne, po për të gjithë shqiptarët që kjo qeveri e inkriminuar ua ka vënë shkelmin në fyt dhe tani po u thotë edhe bashkive të mëdha që qytetarët të largohen e jo vetëm me bashkitë e vogla. Duhet të qëndrojmë, të rezistojmë, derisa kjo qeveri e korruptuar dhe ky kryeministër të largohet, bashkë me zyrtarët e korruptuar. Dorëheqje”, përfundoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura