I vrari i RENEA-s grabiti me maskë e armë banesën në Lezhë

Dec 21, 2011 | 12:33

LEZHE – Një grabitje e ndodhur në një fshat të Lezhës katër ditë më parë ka vënë në lëvizje Policinë e këtij qarku për arrestimin e personit në kërkim, Elidon Prendi, i cili u vra më pas nga RENEA në fshatin Gurëz të Kurbinit. Ndërsa tre bashkëpunëtorët e tij, tashmë të arrestuar, dyshohet të jenë të implikuar me Prendin në grabitje të tjera. Sipas Policisë, jo rastësisht ata ishin në të njëjtën banesë me viktimën ditën e ngjarjes. Mësohet se Elidon Prendi, Marjan Kala, Mentor Vuka dhe Alfred Marku, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer një grabitje në fshatin Gajush të Lezhës. Me maska e të armatosur kanë hyrë forcërisht në banesën e shtetasit me inicialet P.C. Ata kanë lidhur burrë e grua dhe më pas kanë grabitur para dhe sende me vlerë. Gjatë ikjes, rastësisht janë fikur dritat, por kjo ka çorientuar disi njërin prej tyre, i cili ka qëlluar me breshëri automatike në derën e shtëpisë. Kjo ka vënë në alarm banorët e tjerë të fshatit, të cilët kanë nxituar drejt banesës nga ku u dëgjuan krismat. Ata kanë gjetur bashkëshortët të lidhur, dhe kanë sinjalizuar menjëherë Policinë. Ata kanë deklaruar se katër grabitësit u kishin kërkuar para, duke pasur idenë se çifti mund të kishte shumë lekë gjendje në banesë, të dërguara nga fëmijët që ishin në emigracion. Hetimet e Policisë kanë çuar në të dhënat e para dyshimin se autorët ishin shtetasit Marjan Kala, Mentor Vuka, Alfred Marku, si dhe Elidon Prendi. Agjentët në terren zbuluan se ata strehoheshin në një banesë në Gurëz të Kurbinit. Policia është mobilizuar menjëherë në një operacion, duke rrethuar banesën e dyshuar. Por lëvizjet e të dyshuarve nëpër banesë, lëvizje të cilat janë ndjekur edhe me dylbi, kanë dhënë sinjalin e parë se katër personat kishin bollshëm armatime. Për këtë shkak, duke vlerësuar rrezikshmërinë që ata paraqisnin, blutë kanë kërkuar ndihmën e forcave të RENEA-s. Ndërhyrja e forcave speciale dhe thirrja për dorëzim ka bërë që Elidon Prendi të tentonte të hidhte granata në drejtim të tyre. Ndërsa Marjan Kala, Mentor Vuka e Alfred Marku nuk kanë bërë rezistencë. Forcat e RENEA-s, me të parë rrezikun që u kanosej nga i kërkuari për grabitje, e kanë paralajmëruar atë, duke shtënë fillimisht në ajër. Por në momentin kur 40-vjeçari po tentonte heqjen e siguresës së granatës për t’ua hedhur specialëve, atëherë këta të fundit e kanë vënë në shenjë, duke e qëlluar për vdekje.                          r.n

Operacioni i RENEA-s
I vrarë

Elidon Prendi,         nga Puka
Të arrestuar
Marjan Kala         nga Puka
Mentor Vuka         nga Vau i Dejës
Alfred Marku         nga Mirdita

© Panorama.al

Te lidhura