TIRANE – Tre persona janë vënë në pranga dje nga policia, pasi dy ditë më parë i kanë vjedhur çantën nga duart një gruaje. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Thanas Ziko”, ndërsa menjëherë efektivat e Komisariatit Nr.4 kanë vënë në pranga tre autorët e ngjarjes. Policia e kryeqytetit njoftoi se ka prangosur një grup personash me tendencë vjedhjet. Të arrestuarit në flagrancë janë Dorian Beqir Alia, 20 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë 5 herë për vjedhje, personi me iniciale R.K., 16 vjeç dhe shtetasi A.Hasandocaj, 17 vjeç. “Këta shtetas, me precedentë të mëparshëm penalë, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë realizuar një sërë vjedhjesh të disa shtetaseve, kryesisht të varëseve dhe çantave në kohë e periudha të ndryshme. Më konkretisht, është dokumentuar implikimi i tyre në vjedhjen e një shtetaseje në rrugën “Thanas Ziko” në Tiranë”, tha Policia. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se pas një hetimi të kryer ndaj tyre dhe pas kontrolleve të ushtruara u kap në banesë shtetasi në kërkim, Viktor Aliaj, si dhe u bë e mundur gjetja e motorit me të cilin ishte kryer vjedhja e ndodhur mesditën e djeshme. “Nga hetimet e kryera janë evidentuar edhe vjedhjet e tjera të realizuara nga këta shtetas, dhe argjendaritë ku janë shitur sendet e vjedhura nga autorët. Policia tha se po punon me Tatimet për evidentimin e këtyre rasteve.











