I vihet flaka komunës së Shalës

Sep 13, 2011 | 11:55
Godina e djegur e Komunës Shalë

I vihet zjarri godinës së komunës Shalë në Shkodër, vetëm 3 ditë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për fituesin e zgjedhjeve vendore.Flakët u pikasën rreth orës 06:30 të mëngjesit të djeshëm, në fshatin Breg i Lumit, ku ndodhen dhe ambientet e komunës. Sipas policisë së Shkodrës mësohet se dokumentet me rëndësi strategjike, siç janë regjistrat e gjendjes civile, kanë arritur të shpëtojnë plotësisht. Dëmet më të mëdha i kanë pësuar zyra e financës dhe zyra e kryetarit të ri të komunës Shalë, Balë Vuksani. Për ngjarjen kanë filluar tashmë hetimet dhe gjatë ditës së hënë është marrë në pyetje stafi i personave të administratës së komunës Shalë, si dhe janë

Godina e djegur e Komunës Shalë

shoqëruar 3 persona, të cilët mendohet se kanë dijeni në lidhje me ngjarjen. Sipas burimeve policore mësohet se rreth orës 06:30 banorët e zonës së Bregut të Lumit kanë parë flakët të dalin nga dritaret e katit të parë të ndërtesës. Kjo ka bërë që ata, që e kishin shtëpinë më pranë kësaj ndërtese, të vrapojnë për ta shpëtuar sa të mundnin. Banorët e fshatit dhe një pjesë e administratës, që ka shtëpitë e veta në këtë zonë, kanë filluar të nxjerrin jashtë regjistrat e gjendjes civile, duke ditur rëndësinë që ato kanë. Më pas është arritur të shpëtohen edhe materialet e ndihmës ekonomike të kësaj komune. Për ta ka qenë e pamundur që të hyhej në zyrën e financës dhe në atë të kryetarit të komunës. Banorët janë munduar që me mjete rrethanore ta shuajnë zjarrin, por çdo gjë ka rezultuar e kotë. Brenda harkut kohor prej një ore, ndërtesa dykatëshe e komunës është përfshirë totalisht nga flakët, ndihmuar edhe nga konstruksioni i saj prej lënde drusore. Efektivët zjarrfikës, ndonëse janë lajmëruar menjëherë pas rënies së zjarrit, e kanë pasur të pamundur të arrijnë në kohë. Duke  llogaritur distancën e largët nga Shkodra, e vetmja gjë që mund të bënte ky repart ishte të dërgonte specialistët e tij për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit dhe për të përcaktuar vatrën e tij, që më pas shërbeu për të shpërndarë flakët në të gjithë ndërtesën. Ekspertët zjarrfikës vetëm pas 8 orësh kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Nisur nga ajo çfarë ata kanë parë në godinën e komunës, e cila ishte shkrumbuar plotësisht, ishte tejet e vështirë të përcaktoje se ku ka qenë fillimisht kjo vatër. Nga hetimet e para është konstatuar se zjarri ka nisur nga kati i parë i ndërtesës, por pa u arritur identifikimi i zyrës ku është vënë zjarri. Policia e Shkodrës është treguar e matur në dhënien e informacioneve mbi këtë ngjarje, nisur dhe nga incidentet e shkaktuara muajt e fundit për shkak të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Nga ana e saj konfirmohet fakti se zjarri është i qëllimshëm dhe jo aksidental. Por që, sipas drejtuesve të policisë, është ende herët për të saktësuar autorët dhe motivin që i shtyu ata për t’i vënë flakën ndërtesës. Megjithatë, pohohet se në qendër të hetimeve janë edhe problemet me procesin zgjedhor për kreun e kësaj komune, ku u zhvilluan tri raunde votimesh. Krahas rivalitetit politik, këto zgjedhje u shoqëruan edhe me konflikte familjare mes dy kandidatëve, madje duke shënuar një të plagosur.

Dokumentacioni i shpëtuar

Burime nga Policia e Shkodrës, duke iu referuar edhe dëshmive të punonjësve të administratës së kësaj komune, bëjnë të ditur se është arritur të shpëtohej i gjithë dokumentacioni strategjik, siç janë regjistrat e gjendjes civile të kësaj komune, si dhe disa dokumente të tjera, që kanë të bëjnë me listat e ndihmës ekonomike apo të kësaj natyre. Shpëtimi i dokumentacionit të gjendjes civile ka qenë një arritje e madhe pasi, në të kundërt, humbja e tyre do të ishte diçka e pariparueshme në të ardhmen.

Procesi i zgjedhjeve në Shalë

Është zhvilluar me tri raunde procesi i zgjedhjeve vendore në komunën e thellë të Shalës në Shkodër. Herën a parë fitues doli Dedë Tonaj i PD-së. Me kërkesë të PS-së, KQZ vendosi anulimin e zgjedhjeve. U caktua sërish votimi në korrik, i cili nuk u zhvillua për parregullsi. Data e tretë ishte në gusht dhe në këto zgjedhje fitues doli kandidati i PS-së, Balë Vuksani, vetëm me 2  vota më shumë se rivali i tij. KQZ nga ana e saj nuk e quajti të drejtë kërkesën e PD-së për parregullsi në zgjedhjet e fundit, duke lënë fitues Balë Vuksanin.

SHKODER/ RITVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura