I tha jo rekrutimit nga ish-Sigurimi i Shtetit, historia e albanologut Injac Zamputi! Nuk iu njoh diploma e Triestes, s’iu dha asnjë gradë shkencore

Feb 14, 2025 | 13:58

Me rastin e 115-vjetorit të lindjes, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë hapi dje një ekspozitë për historianin, studiuesin, kritikun e diplomatin, Injac Zamputi.

Injac Zamputi

Në këtë ekspozitë, vizitorët do të kenë mundësinë të shohin nga afër kontributin e Injac Zamputit në fushën e historisë, kritikës dhe po ashtu, edhe krijimit letrar, me sprovat e tij në prozë e poezi. Me kritikën e tij të hollë mbi artin dhe letërsinë, Zamputi arriti të renditej në krah të figurave më të spikatura të zenitit kulturor të shekullit të kaluar, dhe po ashtu, përmes intuitës së tij prej historiani, arriti të sjellë fakte dhe zbulesa të reja në fushën administrativo-historike për Shqipërinë nën pushtimin osman.

Shkroi publicistikë në “Hylli i Dritës”, “Leka” dhe në “Kumbona e së dielës”. Botoi vëllimet me novela “Zemra njerëzish”, “Atje, nën hijen e Rozafës”, melodramën “Damiani himariot”. Ndër punimet e para është zbërthimi i alfabetit të dorëshkrimit të quajtur “Anonimi i Elbasanit”, transkriptimi e komentimi i tij duke e çuar së paku në shek. XVII lëvizjen e ritit ortodoks për një liturgji në gjuhën shqipe. Po kështu zbërtheu alfabetin e panjohur të shek. XIX të një poezie me përmbajtje bektashiane. Më pas boton librin “Përpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi në shek. XVIXVII”. Në atë periudhë fillon të përgatisë kuadrin e ri për dokumentacionin e periudhës së mesjetës, u jep drejtime se ku të shkojnë për ta kërkuar në arkivat e ndryshme të Venecias, Vatikanit, Raguzës etj., mbasi ai vete nuk lejohet te dale asnjëherë nga Shqipëria. Konkluzionet e studimeve të dokumentacionit botoheshin në formë artikujsh në revistën “Studime historike”.

Nga dokumentacioni i kohës zbulon e studion Buzukun, Bardhin, Budin, Bogdanin, Barletin e Beçikemin. Injac Zamputi lindi në Shkodër, më 1910 dhe u nda nga jeta në Tivoli, më 1998. Gjyshi nga i ati ishte italian i vendosur fillimisht në Kavajë e më pas në Shkodër. Gjyshi i Zamputit quhej Giuseppe Zamputi, ishte mjek në profesion dhe iku nga Italia në vitin 1870 pas humbjes së shtetit papal në Porta Pia. Fillimisht u vendos si mjek bashkie në Kavajë, ku edhe u martua me Luigjian, nga familja e njohur raguzane Raçiç.

Më pas u transferua në Durrës dhe vitet e fundit u vendos në Shkodër, ku edhe vdiq në vitin 1900. I ati i Injacit Romolo, ka lindur në Durrës në vitin 1876. Punoi si nëpunës poste pranë Konsullatës Italiane në Shkodër. Vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, Injac Zamputi u dërgua në Gjirokastër si mësues letërsie e më vonë, me hapjen e Institutit të Shkencave thirret në Tiranë ku i caktohet dega e Historisë së Mesjetës. Zamputi njihet në historiografinë shqiptare si themelues i disiplinës së diplomatikës. Diplomatika është disiplina që ka për objekt studimin e dokumenteve, përfshi gjurmimin, qëmtimin, mbledhjen, analizën, studimin edhe më në fund botimin e tyre.

KONTRIBUTI

Vëllimet e tij janë botuar me transkriptimet origjinale, përkthimet përkatëse, me indekset e emrave të personave e të vendeve dhe me shpjegimet e duhura. Vetëm në këto vëllime dokumentesh numërohen më shumë se 5000 faqe. Në vitet ’50 e fillimet e viteve ’60 merret edhe me letërsi. Shkruan tri drama, një melodramë, dy tregime të gjata, një poemë për luftën e Himarës 1481, por nuk lejohen te botohen e, kështu heq dorë nga letërsia e i kushtohet vetëm historisë e paleografisë. E vetmja dramë që arriti të dëgjohet vetëm një herë në radio e inçizuar nga studentët e ILA më 1965 qe drama “Guri i themelit” me temë mbi kalanë e Shkodrës. Në fundin e viteve ’80 e ndjen se do të ndodhnin ndryshime të mëdha. Fillon e zgjeron aktivitetin e tij duke përkthyer më 1989 “Burgimi im” të Pashko Vasës të pajisur me parathënie e shënime të ndryshme.

Të vitit 1988 janë punimet e tij me shumë interes për leximin e “Mbishkrimit të Arbërit” e “Mbishkrimit të Brarit” të cilët lexohen për herë të parë në mënyrë të plotë dhe që vendosin gurë themeli në historinë e popullit shqiptar. Të periudhës së viteve të para të demokracisë janë dy librat e tij: “Fishta – koha, njeriu, vepra” dhe “Ekskursion në dy vepra të Kadaresë” (1993). Në vitin 1993 Injac Zamputi riatdhesohet në Itali nga ku, në vitet 1995-97 boton artikuj e studime me shumë interes në revistën “Hylli i dritës” për çështje të fillimit të letërsisë në gjuhën shqipe dhe, i fundit, për aksionin kolonizues të Dionisit e luftërat iliro-romake. Nuk iu njoh diploma e Triestes, nuk iu dha asnjë gradë shkencore, asnjë titull dhe, rrjedhimisht, nuk ishte as anëtar i Akademisë: të gjitha këto nga prejardhja e tij italiane e, sidomos, nga mospranimi për të bashkëpunuar me policinë sekrete- Sigurimin. Konfliktit me policinë sekrete, nuk i dha kurrë kuptimin e vlerës së shtuar të kontributeve të tij. Gjithsesi, brenga e Zamputit nuk mund të mbetej pa lënë gjurmë në dosjet personale, aty ku profesori hidhte të fshehtat e patreguara./Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura