I sëmuri u vetëdogj në dhomë, katër muaj burg infermierit

Dec 28, 2011 | 13:08
Psikiatria

TIRANE – Një pacient i Spitalit Psikiatrik u vetëdogj në izolimin e pavijonit nr. 5 në Tiranë vetëm pak orë pas ndërrimit të viteve 2010-2011. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës dënoi me 4 muaj burg dhe 200 mijë lekë gjobë Idajet Kanton, infermierin e turnit të asaj nate, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Në të njëjtin vendim, gjykata vendosi pezullimin e dënimit me burg për Kanton për një periudhë prej 18 muajsh, gjatë së cilës ai do të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës. Ngjarja për të cilën u deklarua i fajshëm infermieri u shënua në orën 05:00 të mëngjesit të 1 janarit 2011. Sipas vendimit, 31 dhjetorin e 2010-s mjekët e Psikiatrisë nuk kishin plotësuar dëshirën e pacientit Olger M. për të festuar pranë familjes për shkak të gjendjes së tij mendore. Gjendja e tij mendore ka qenë tepër e rënduar dhe pasi i kanë bërë disa herë qetësues, janë detyruar ta fusin në izolim. “Ky veprim është përsëritur disa herë, pasi pacienti edhe në izolim ishte shumë agresiv, bërtiste dhe i binte derës”, thuhej në vendim. Në mëngjes, në orën 05:00, infermierët e kanë gjetur dhomën e izolimit në flakë dhe pacientin të vdekur për shkak të djegies. Flaka ishte ndezur me një çakmak që kishte pasur pacienti. Sipas gjykatës, infermieri i pandehur kishte shpërdoruar detyrën pasi nuk ka respektuar rregulloren e spitalit psikiatrik në detyrën ku “një nga detyrat e infermierit të pavijonit është kontrollimi i vazhdueshëm i të sëmurit në dhomat e kufizimit fizik, duke kryer kontrollin e tyre për sende që bëhen objekt vetëdëmtues, apo për të sëmurë që kanë tentativë për vetëvrasje”.                         ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura