Janë marrë masa të shtuara sigurie për lirimin e Ilir Selmanit nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Peqin, pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Posaçëm për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Burime bëjnë me dije se janë përmbyllur të gjitha procedurat administrative dhe ligjore në IEVP Peqin, ku Selmani mbahej në paraburgim, ndërsa autoritetet kanë organizuar transferimin e tij drejt banesës, ku do të vuajë masën e re të sigurisë, “arrest në shtëpi”.
Vendimi i Gjykatës së Apelit të Posaçëm ka sjellë zbutjen e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”, për shkak të shuarjes së afateve të paraburgimit, sipas vlerësimit të gjykatës.
Ilir Selmani është një nga personat e akuzuar për përfshirje në dosjen e bujshme të vrasjes së ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Santiago Malko. Ai konsiderohet nga organet e hetimit si një prej personave të implikuar në ngjarjen kriminale që tronditi opinionin publik.
Sipas akuzës, vrasja e Santiago Malkos dyshohet se është kryer nga anëtarë të grupit kriminal të njohur si “Duka”, në kuadër të përplasjeve dhe hakmarrjeve mes grupeve kriminale, të lidhura edhe me emrin e Ervis Martinajt.
© Panorama.al











