Masakron me dru 40-vjeçarin dhe të bijën, arrestohet 19-vjeçari. Një ngjarje e rëndë u shënua në Ksamil të mërkurën.Sipas Policisë së Sarandës, atë e bijë u lënduan nga goditjet me mjete të forta, duke përfunduar në spital. Policia ka mundur të arrestojë 19-vjeçarin Adriatik Gjini, banor i Ksamilit, si autor të kësaj ngjarjeje, e cila dyshohet se ka ardhur në shenjë hakmarrjeje për kundërshtimin e lidhjes së Gjinit me vajzën e lënduar. Nga hetimi i plagosjes rezulton se, të mërkurën, i riu, në bashkëpunim me një person tjetër, ka shkuar në banesën e shtetasit Artan Kuocka, banor i Ksamilit, ku janë konfliktuar keqas me njëri-tjetrin, për motive të dobëta. Pas fjalëve të para, grindja ka precipituar deri atje sa 19-vjeçari, Adriatik Gjini, ka nisur të godasë 40-vjeçarin dhe të bijën e tij 17-vjeçare, e përcaktuar nga hetimet si shkaku i kësaj grindjeje. Dhuna është ushtruar me sende të forta, (dërrasë druri), duke i shkaktuar atyre dëmtime në trup e kokë. Sipas policisë, në gjendje më të rëndë është babai, i cili është transportuar me urgjencë në Spitalin e Sarandës, ku për shkak të goditjeve është konstatuar dëmtimi i mushkërisë. Ndërsa vajza adoleshente nuk ka pasur lëndime që mund të rrezikonin shëndetin e saj. Pas dhunës së ushtruar mbi 40-vjeçarin, autori Adriatik Gjini u largua nga vendi i ngjarjes për t’u bërë e mundur kapja dhe arrestimi i tij pas shtatë orësh. Materialet procedurale në ngarkim të 19-vjeçarit Adriatik Gjini i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “plagosje e rëndë me dashje” dhe “dhunimi i banesës”. Pas arrestimit, pritet që i riu të merret në pyetje për ngjarjen e të japë variantin e tij mbi shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë. Paraprakisht, bazuar në dëshmitë e të lënduarve, policia ka pohuar se shkak për këtë konflikt me pasoja ka qenë pikërisht vajza e shtëpisë, me të cilën 19-vjeçari donte të krijonte lidhje. Por, pengesat e shfaqura nga ana e prindërve të saj ka çuar në një hakmarrje të dhunshme, duke mos shmangur prej saj edhe vetë adoleshenten.
SARANDE/ SHPRESA DINE











