I grabit me armë motorin, bashkë me thesin e miellit për bukë

Sep 9, 2011 | 11:29

KRUJE – Grabitje me armë e maskë në fshatin Murqin të Krujës, në aksin rrugor Fushë Krujë-Ishëm. Policia bëri të ditur se një 25- vjeçar, tashmë i identifikuar, i ka zënë pritë shtetasit Kol Troksi, 51 vjeç, nga fshati Muqinë i Fushë-Krujës. Ai po udhëtonte me një motor, kur para i ka dalë me një automatik “Kallashnikov” Agron Cena, banues në fshatin Bilaj të komunës Bubq të Krujës. Sipas Policisë, i riu rezulton të jetë dënuar edhe më parë për vjedhje. Pasi i ka drejtuar armën automatike, ai i ka bërë shenjë të ndalonte. “Ai mbante në kokë një kapelë dhe e kishte ulur përpara për të mos ia dalluar qartë fytyrën, ndërsa në dorë kishte automatikun. Pasi më drejtoi armën, më bëri shenjë të ndaloja. U detyrova të ndaloja nga frika se do të më qëllonte. Ai më urdhëroi të lija motorin e të largohesha. Më mori bashkë me mjetin edhe një thes miell e një koli me pije freskuese. Më pas u largua në drejtim të fshatit Mazhe, me automatikun në krah, hipur në motor”. Kështu deklaroi në polici pas ngjarjes 51-vjeçari Troksi. Por sipas burimeve, ai ka arritur ta njohë autorin, duke ndihmuar kështu edhe policinë në hetimin e saj. Policia është vënë në kërkim të autorit, por në momentin që i është afruar në fshatin Lalëz-Ishëm në Durrës, i riu ka braktisur motorin e grabitur së bashku me armën e krimit. Duke përfituar nga terreni, ai ka mundur të largohet pa u arrestuar nga ana e policisë. Sipas Policisë, po punohet për arrestimin e tij. Një muaj më parë, një tjetër grabitje me armë ndodhi në një banesë në afërsi të fshatit Mazhe të Fushë-Krujës, por deri tani nuk është zbuluar autorësia.                             r.n

Shijak, plagosen dy 13-vjeçarë në aksident

SHIJAK – Një aksident me pasojë dy të plagosur ka ndodhur në  aksin rrugor Sukth – Shijak. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:00, në afërsi të vendit të quajtur Sallmone. Një makinë tip fuoristradë me targa të DR 9478 E, e cila drejtohej nga shtetasi Kujtim Keçi, 52 vjeç, ka aksidentuar dy 13-vjeçarë që udhëtonin me një motoçikletë pa targa. Të plagosurit janë J.Arapi si dhe R.Shahini, banorë të zonës. Ata janë transportuar menjëherë për në spitalin e Durrësit, ku pas ndihmës së parë mjekësore janë nisur drejt spitalit ushtarak në Tiranë për një mjekim më të specializuar. Sipas bluzave të bardha në spitalin e Durrësit mësojmë se dy djemtë kanë plagë të shumta për shkak të goditjeve të marra. Në vendngjarje kanë mbërritur ekspertë të policisë. Paraprakisht dyshohet që shkak për aksidentin të jetë bërë shpejtësia e madhe me të cilën po udhëtonte automjeti fuoristradë, si dhe pakujdesia e dy djemve.   l.m

Berat, një qendër për të paraburgosurit

BERAT – Berati së shpejti do të ketë një qendër paraburgimi për personat e arrestuar. Ajo do të ndërtohet në zonën e kombinatit, pranë fshatit Dyshnik. Negociator për ndërtimin e kësaj qendre është KE-ja, e cila po ndihmon me fondet përkatëse. Ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e drejtuesve të Drejtorisë së Policisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Burgjeve për të ndërtuar një godinë paraburgimi, pasi aktualisht një e tillë ndodhet brenda ambienteve të policisë së Beratit dhe nuk është e mjaftueshme. Qendra e re e paraburgimit, e cila do të nisë të ndërtohet, është 2 kilometra larg qytetit. Burime nga Drejtoria e Policisë dhe asaj të burgut bëjnë të ditur për gazetën se kjo qendër do të ndërtohet me parametra bashkëkohorë europianë. Mësohet se një pjesë e ndërtimeve është e gatshme, pasi në këtë sipërfaqe të planifikuar ku do të ndërtohet kjo qendër ka qenë ish-reparti ushtarak. Aktualisht, të arrestuarit për vepra të ndryshme penale nga policia e Beratit izolohen për rreth 72 orë në ambientet e saj. Pas vlerësimit të masës së arrestit, për shkak të mungesës së dhomave të izolimit, ata dërgohen në Lushnjë, deri në pritje të vendimit të gjykatës. Për policinë e Beratit ka dhe shpenzime të mëdha për shkak të karburantit për të transportuar të burgosurit nga një qytet në tjetrin.

© Panorama.al

Te lidhura