LONDER – Një shtetas shqiptar i dënuar për tri vrasje dhe i akuzuar si anëtar i bandës famëkeqe “Kateshi” dyshohet se fshihet në Britaninë e Madhe. Mediat angleze shkruan dje se një nga njerëzit më të kërkuar nga Scotland Yard është shtetasi shqiptar Ndriçim Sadushi, 41 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë i fshehur në Britani për më shumë se një dekadë. Zyrtarët e policisë kanë thënë se Ndriçim Sadushi ka përdorur të paktën gjashtë emra të rremë gjatë kohës së qëndrimit të tij në arrati, që nga viti kur ka ikur nga Shqipëria. I kërkuari është dënuar me burgim të përjetshëm për një varg krimesh brutale, duke përfshirë edhe tre vrasje, shkruajnë mediat angleze. Agjencia policore kufitare ka thënë se të dhënat e saj tregojnë për hyrjen e Sadushit në Britani në vitin 2000. Mediat, duke iu referuar Policisë shqiptare, theksojnë se shtetasi Ndriçim Sadushi është akuzuar se ka udhëhequr bandën famëkeqe “Kateshi”, e cila ka terrorizuar viktimat në Shqipëri në fund të viteve 1990. Policia ka thënë se Sadushi është i fundit i udhëheqësve të bandës, i cili për të shmangur arrestimin u largua nga Shqipëria, por kohët e fundit është futur në listën e 14 më të kërkuarve të Scotland Yard-it, ku ndodhen vrasës, grabitës dhe përdhunues. Detektivët kanë mësuar se ai ka qenë i fshehur në Londër dhe Merseyside, por përpjekjet për ta gjetur kanë rezultuar të pafrytshme. Pëllumb Seferi, kreu i Interpol në Shqipëri, tha: “Sadushi është numri një i të arratisurve në listën tonë të 100 personave më të kërkuar, që ne besojmë se jeton në Britani. “Ai ka qenë një ndër anëtarët kryesorë të një bandë të armatosur, e cila ka kryer krime të dhunshme në Shqipëri”, tha Seferi. Zyrtarët e kërkimit dhe ekstradimeve kanë thënë se kanë vënë të gjitha burimet në dispozicion të kërkimeve për shqiptarin. Në Britaninë e Madhe dyshohet se fshihen më shumë se 4300 të kërkuar nga vendet lindore dhe Polonia. Në Britaninë e Madhe dyshohet se ndodhet një numër i konsiderueshëm shtetasish shqiptarë, që kanë kryer krime në Shqipëri apo në vende të tjera dhe janë vendosur atje me identitet të rremë.











