Epidemia gripale është në pikun e saj. Për fat të mirë, autoritetet shëndetësore raportojnë se nuk është shënuar asnjë rast vdekjeje nga viruset që po qarkullojnë në vend. Madje, sipas tyre, numri i rasteve është 4% më i ulët se sa vitin e kaluar. Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka udhëzuar drejtoritë arsimore në zonat veriore dhe verilindore të vendit të pezullojë procesin mësimor. ”Në të gjitha rrethet ku temperaturat janë minus 11 grandë e më shumë, nuk do të zhvillohet procesi mësimor. Janë udhëzuar të gjitha drejtoritë arsimore të marrin masa”, thonë burime pranë MASH. Ndërkaq, dje, gjatë një konference për shtyp, Ministria e Shëndetësisë u ka bërë apel qytetarëve të bëjnë kujdes me të ftohtin. Drejtori i Shëndetit në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazment Bejtja, tha se në këtë periudhë organet punojnë më shumë për të përballuar të ftohtin, ndaj ata persona që kanë shqetësime nga zemra, duhet të jenë edhe më të kujdesshëm duke mos dalë nga shtëpia në orët e para të mëngjesit dhe ato të vona të mbrëmjes, kur dhe temperaturat janë shumë të ulëta. “Të zbatohen masat e higjienës respiratore, të shmanget frekuentimi i ambienteve të mbyllura publike nga personat që janë të prekur nga gripi apo shfaqin shenja dhe ankesa të gripit. Të sigurohet temperatura dhe ajrimi i duhur i ambienteve të brendshme për të mundësuar funksionimin normal të aparatit të frymëmarrjes dhe reduktimin e ngarkesës mikrobike dhe virale”, tha Bejtja. Sipas tij, kujdes të veçantë duhet të tregohet për foshnjat, fëmijët, të moshuarit, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna. ”Mos hezitoni të kontaktoni mjekun për të marrë këshillat dhe kujdesin e nevojshëm”, tha Bejtja. Shumë i rëndësishëm është dhe ambienti ku jetojmë, ndaj mjekët sqarojnë se në shtëpi duhet të ruhet temperatura konstante 20-23 gardë celsius. Po kështu, shtëpia duhet të ajroset disa herë në ditë për të siguruar lagështinë e nevojshme për rrugët e frymëmarrjes dhe për të ulur përqendrimin e mikrobeve në shtëpi.
Korçë, acari kyç gjithë shkollat
Sot mbyllen të gjitha shkollat në rrethin e Korçës. Temperaturat e ulëta bënë që 88 institucione të arsimit parashkollor 9-vjeçar, por edhe të mesëm, duke nisur nga e premtja të mos kryejnë orët mësimore. Pas marrjes në konsideratë të situatës, ku nxënësit kanë zhvilluar orët mësimore në kushtet e vështira të krijuara si pasojë e ngricave, Drejtoria Arsimore Rajonale ka njoftuar pezullimin e mësimit në të gjitha shkollat e rrethit për një afat të pacaktuar.
© Panorama.alSi te mbrohemi
. Të zbatohen masat e higjienës
. Të shmanget frekuentimi i ambienteve ku ka persona me grip
. Të sigurohet temperatura dhe ajrimi i duhur i shtëpive
. Të kufizohen punët e rënda dhe vrapimet
. Fëmijët nën 1 vjeç të mos flenë në dhoma të ftohta
. Kujdes të veçantë duhet të kenë foshnjat, fëmijët, të moshuarit, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna











