
Tri ditë pas izolimit në Burgun e Shënkollit, plagoset rëndë kryetari i komunës Rrethina të Shkodrës, Kleves Muja.I arrestuari për qëllim ekstradimi në Itali, sapo doli nga takimi me avokatin e familjarët e tij kur u qëllua me shufër hekuri pas koke nga një i dënuar për vrasje.
Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme në ambientet e burgut. Si pasojë e goditjes së fortë, 38-vjeçari ndodhet në gjendje kritike për jetën, në reanimacionin e Spitalit Ushtarak. Autori është identifikuar si Xheladin Kruja, 33 vjeç, i dënuar për vrasje të dyfishtë. Kruja është banor i Shkodrës, çka ka hedhur një sërë dyshimesh mbi motivet që e shtynë drejt këtij veprimi. Mësohet se Muja u zhvendos në dhomat e paraburgimit në Shënkoll menjëherë pas seancës së sigurisë në Gjykatën e Shkodrës, ku u vendos që ai do të mbahet i izoluar 40 ditë. Kjo masë u caktua deri në mbërritjen e dokumenteve nga pala italiane, e cila e akuzon Mujën për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ditën e djeshme, Muja ka pasur një takim me avokatin përfaqësues të tij, të cilit i ka dorëzuar prokurën e përfaqësimit në shqyrtim gjyqësor. Ndërsa ai po kthehej në dhomën e tij, është përballur me Krujën, i cili ishte jashtë qelie për shkak të orarit të ajrimit. Në momentin e shkëmbimit në korridor, 33-vjeçari e ka goditur fuqishëm Mujën pas koke, duke përdorur një shufër hekuri. Sipas burimeve pranë Burgut të Shënkollit, mes autorit dhe të plagosurit nuk ka pasur konflikte brenda ambienteve të burgut. Menjëherë pas ngjarjes kanë ndërhyrë gardianët, të cilët kanë izoluar Krujën, ndërsa lajmëruan drejtuesit e Burgut të Shënkollit për çka kishte ndodhur. Kryetari i komunës Rrethina të Shkodrës, Kleves Muja, u nis me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, me një goditje të rëndë në kokë që e kishte lënë pa ndjenja. Muja u transportua në spital nga një ambulancë e Lezhës, i shoqëruar nga 8 policë të Burgut të Shënkollit, rreth orës 14:00. Pas një skaneri në kokë, që zbuloi një frakturë në kafkë, në pjesën e pasme të kokës, mjekët e futën menjëherë në sallën e operacionit, pasi konstatuan edhe mpiksje gjaku. Goditja me mjetin e fortë i ka shkaktuar një politraumë të rëndë, duke rrezikuar seriozisht jetën e 38-vjeçarit. Sipas mjekëve, pas operacionit ai është shtruar në reanimacionin e Spitalit Ushtarak dhe mbahet në terapi intensive. Autori Xheladin Kruja është vënë menjëherë nën kontrollin e efektivave të burgut, ndërsa është sekuestruar edhe sendi i përdorur për këtë ngjarje. Një grup hetimor, i përbërë nga Prokuroria e Lezhës dhe SHKB-ja e Burgjeve, ka nisur hetimin për këtë çështje, më qëllim zbardhjen e motivit të ngjarjes dhe mënyrën se si përfundoi në duart e të dënuarit për vrasje shufra e hekurit. Nga të dhënat e para dyshohet për një konflikt të vjetër që mund të ketë ndodhur mes dy personave, me origjinë nga i njëjti qytet. Ky fakt, është mohuar nga familjarët e kryekomunarit. Ata deklaruan dje pas ngjarjes se gjithçka mund ta ketë zanafillën nga jashtë burgut, ku persona të interesuar kanë angazhuar Xheladin Krujën për të sulmuar Mujën. Pritet që vetë kryekomunari i arrestuar për trafik droge të japë dëshminë kryesore për ngjarjen. gj.f
Arrestimi
e shkuar në krye të komunës Rrethina në Shkodër nën siglën e PS-së, u arrestua më 1 qershor në mes të qytetit. Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti nga autoritetet policore të Barit, me datë 29 tetor 2010, sipas të cilit Muja ishte i akuzuar për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Nëpërmjet Interpolit u vu në dijeni Policia e Shkodrës, e cila prangosi 38-vjeçarin, ndaj të cilit nuk kishte asnjë precedent të mëparshëm penal në vendin tonë.
Takimi i Mujës me avokatin para plagosjes
Paraditen e djeshme, Kleves Muja ka zhvilluar një takim me avokatin e tij mbrojtës me qëllim dorëzimin e prokurës së përfaqësimit në Gjykatën e Apelit, por dhe para Drejtësisë italiane që e akuzon për trafik droge. Prokura është plotësuar në prani të familjarëve të 38-vjeçarit. Nuk ka kaluar shumë kur ata kanë mësuar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në ambientet e Burgut të Shënkollit.











