
Kosovari i kuqezinjve tregon tratativat mes ukrainasve e gjermanëve
“Vorskla nuk më lëshon, kërkon shumë parà për mua”
Ahmed Januzi ka pak shpresa se mund të transferohet te sku-adra e Hanoverit gjatë muajit janar. Pavarësisht interesimit të gjermanëve, Vorskla nuk dëshiron ta shesë 23-vjeçarin duke bllokuar kartonin e këtij të fundit. Ndërsa mësohet se drejtuesit e klubit gjerman i kanë bërë ofertë zyrtare ekipit ukrainas për të siguruar shërbimet e Januzit, por sipas lojtarit të Kombëtares shqiptare deri tani tratativa nuk ka avancuar aq sa duhet dhe me gjasa do mbetet te Vorskla edhe për këtë sezon. “Nuk ka asgjë konkrete. S’ka kurrfarë marrëveshjeje as mes klubeve, por as mes meje me Hanoverin, sepse unë kam kontratë me Vorsklën. Tashmë i kemi nisur përgatitjet për sezonin e radhës dhe jam duke menduar vetëm se si të përgatitem sa më mirë për sezonin që po vjen”, ka thënë Januzi për mediat kosovare. Vorskla Poltava, ku luan edhe Armend Dallku, nuk dëshiron ta lëshojë sulmuesin, meqenëse për trajnerin ai është pika kyçe e repartit ofensiv të kësaj skuadre. “Drejtuesit e klubit, e posaçërisht trajneri i skuadrës, kanë kërkuar që të paktën deri në verën e ardhshme të qëndrojë te Vorskla. Kështu që, vetëm me biseda intensive, me ndonjë presion më të madh të Hanoverit, ndoshta do kisha mundësi të shkoja në Bundesligë që këtë muaj”, ka vazhduar Januzi. Lojtari firmosi jo më larg se viti i shkuar rinovimin me Vorsklan për deri në 2015-n dhe me këtë rast kjo skuadër dëshiron që minimalisht të përfitojë financiarisht nga shitja e tij. Për momentin, kartoni i Januzit vlerësohet nga ukrainasit me 1.5 milionë euro, ndërsa Hanoveri ka ofruar vetëm 750 mijë euro. “Gjithsesi, për të qenë i sinqertë, unë të Vorskla jam ndier gjithnjë mirë. Po përgatitem për sezonin e ri, gjatë të cilit dua të angazhohem dhe të punoj shumë. Qëllimi im është të vazhdoj me paraqitje sa më të mira dhe të shënoj sa më shumë gola, dhe në këtë mënyrë ta ndihmoj sa më shumë Kombëtaren e Shqipërisë”, përfundoi sulmuesi. Januzi ra në sytë e Hanoverit pas paraqitjeve të mira që bëri në ndeshjet e zhvilluara në fazën e grupeve për Ligën e Europës. Gjatë 2011-s, ai realizoi 11 gola, duke u bërë i pazëvendësueshëm në formacionin titullar të Vorskla Poltavës.
Fantazisti / Mediat rumune: Bakaj, jashtë ekipit
Ditë të vështira për Elis Bakajn. Sipas mediave rumune, lojtari i përfaqësueses shqiptare është lënë jashtë skuadre edhe gjatë fazës përgatitore. Bakaj stërvitet veçmas së bashku me një tjetër lojtar, kjo më së pari se sipas trajnerit atij i nevojitet një stërvitje më e fortë me qëllim që të vijë sa më shpjet në formën fizike që kërkohet. Sipas mediave, lojtari vuan edhe një dëmtim të lehtë muskulor, ndaj është lënë jashtë skuadrës. Bakaj u transferua një vit më parë nga Dinamo e Tiranës te Dinamo e Bukureshtit për shumën e 250 mijë eurove por, përpos fjalëve të mira që u thanë në fillim, lojtari nuk ka treguar cilësitë për të cilat u ble.Zbori/ Mungojnë tre “korçarë”, vjen Dushku e Koliqi
Orges Shehi, Renato Arapi dhe Gjergj Muzaka nuk do të jenë pjesë e skuadrës që do grumbullohet nga data 21-24 nga trajneri i ri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi. Që të tre këta lojtarë mësohet se vuajnë dëmtime të ndryshme, ndaj dje është konfirmuar nga klubi korçar, ku ata aktivizohen, se nuk mund të jenë në dispozicion të trajnerit italian. Në vend të tyre është grumbulluar portieri Enea Koliqi, i cili aktivizohet te skuadra e Panserraikos në ligën e dytë në Greqi, si dhe mbrojtësi i Tiranës, Erjon Dushku. Kujtojmë se ky është grumbullimi i parë që tekniku De Biazi bën që nga momenti kur u emërua zyrtarisht dhe ai ka preferuar që ta nisë nga Superliga, duke grumbulluar lojtarët më të mirë që militojnë në këtë kampionat. De Biazi dhe ndihmësit e tij do të zhvillojnë nga dy seanca në ditë, në përpjekje për të mësuar çdo detaj të mundshëm sa u përket lojtarëve të thirrur.Alban Bushi
Ish-sulmuesi i Kombëtares, Alban Bushi, nga dje është emëruar menaxher i ekipit tonë përfaqësues. Këtë post më parë e mbante Denis Bastari, por prej dje ky i fundit nuk do të jetë veçse një përkthyes pranë Kombëtares. Kjo është detyra e parë që Alban Bushi ka marrë që nga koha kur ai la futbollin e fushës, gati një vit më parë (luajti për pak kohë te Tirana, por për shkak të një dëmtimi i dha lamtumirën para kohe sezonit futbollistik).
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











