RUBEN AVXHIU
Viti 2000 shënoi zgjedhjet më kontradiktore në historinë e Amerikës, ku peshorja politike anoi për një grusht votash nga kandidati republikan, George W. Bush. Ai dhe rivali i tij demokrat, Al Gore, ishin majë më majë dhe gjithçka u vendos në shtetin jugor të Floridas.
Zgjedhjet presidenciale amerikane janë zakonisht duele politike, ndonëse ndonjëherë, në të rrallë, shfaqet ndonjë “i tretë i bezdisshëm”. Atë vit, Ralf Nader, një avokat i famshëm i të drejtave të konsumatorëve, kandidoi në emër të Partisë së Gjelbër, pa asnjë shans për të fituar, por i vendosur për të kandiduar gjithsesi, duke marrë gati 2.5% të votave në shkallë vendi. Në Florida, Nader mori vetëm 1.6% të votave, mirëpo duke qenë se ambientalistët në SHBA votojnë rregullisht për Partinë Demokrate dhe duke qenë se Al Gore e humbi këtë shtet me më pak se 0.01% të votave, reagimi i zemëruar i demokratëve ishte i madh. Demokratët pretendonin se partia e tyre ishte e vetmja alternativë serioze në betejë që mbronte të drejtat e mjedisit. Duke ndihmuar tërthorazi republikanët, të gjelbërit kishin dëmtuar rëndë kauzën e tyre (dhe në fakt, administrata e Bushit ishte më injoruesja ndaj kërkesave të tyre në historinë moderne amerikane).
Nuk mund të të mos kujtohet rasti i Naderit, kur shikon diferencën e vogël mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, ndërsa numërohen votat e qytetarëve të Tiranës. Ndonëse me më pak se 1%, komunisti Hysni Milloshi mund të dalë në fund si njeriu që përcaktoi rezultatin, nëse fituesi nuk fiton me diferencë më të madhe votash se numri i votave të kandidatit komunist.
Ashtu si në rastin e Naderit, socialistët mund të reagojnë ashpërsisht duke pretenduar se këto janë vota që do të shkonin në favorin e tyre nëse Hysni Milloshi nuk do të kishte kandiduar. Pse i nevojitej ky kandidim kur dihej se nuk mund të fitonte, gjithsesi? Tani, nëse i prish punë Edi Ramës, a nuk do t’i ketë bërë më shumë dëm, se ndihmë kauzës së tij?
Argumenti nuk është edhe aq bardhezi. Së pari, vetë Naderi, i cili vazhdon të kandidojë rregullisht nëpër zgjedhjet amerikane, nuk e ka pranuar kurrë që ishte fajtor për rezultatin që i dha Amerikës tetë vjet qeverisje nga Presidenti Bush. Ai i ka quajtur akuzat si “mantra”, “supozime të pa mbështetura në të dhëna”.
Është e vërtetë se të gjelbërit zakonisht votojnë demokratët, mirëpo, sipas Naderit, zhgënjimi me të dyja partitë politike ishte aq i madh, saqë, sipas tij, nëse ai nuk do të kandidonte, ata thjesht nuk do të kishin votuar për asnjë palë dhe Bushi do të kishte fituar, gjithsesi. Madje, ishte pikërisht kjo lloj mendësie, sipas së cilës të gjelbërit votojnë gjithsesi për Partinë Demokratike, që kishte sjellë injorimin e tyre nga kjo forcë politike dhe vendimin e skajshëm për të dalë në fushëbetejë me një parti të tyren.
Për ironi të fatit, pas largimit nga politika, ish-kandidati demokrat, Al Gore, iu përkushtua çështjeve të mjedisit në rang ndërkombëtar, madje duke u nderuar me çmimin “Nobel” të Paqes për veprimtarinë e tij në këtë fushë. Duket sikur misioni i ish-zëvendësit të Presidentit Klinton, pas jetës në politikë, ishte t’i bënte të pendoheshin ata që ia humbën Presidencën.
Hysni Milloshi ndoshta mund të justifikohet në mënyrë të ngjashme. Kush tha se komunistët e Tiranës do të kishin votuar për Edi Ramën, nëse kryetari i tyre nuk do të kishte hyrë në garë? Megjithëse është fakt që Partia Socialiste u krijua nga shndërrimi i ish-Partisë së Punës dhe se Kongresi i saj i Parë ishte kongresi i fundit i Partisë historike Komuniste Shqiptare, të cilën po përpiqet ta ringjallë Milloshi.
Ndryshimi është se në rastin e Naderit, votuesit e tij lakmohen dhe joshen nga të dy krahët e politikës. Ndonëse Partia Republikane njihet si kundërshtare e lëvizjeve për mjedisin, po të dëgjosh retorikën e saj politike, të gjelbërit kanë më interes për të votuar për të. Përkundrazi, në Shqipëri, asnjë nga të dyja partitë kryesore nuk do të donte të identifikohej me kauzën komuniste për arsye që dihen.
Në fakt, në dy vitet e fundit, një nga sportet e preferuara të dy krahëve kryesorë të politikës shqiptare ka qenë identifikimi i kundërshtarit si komunist, apo të lidhur me ish-udhëheqjen komuniste të kohës së Enver Hoxhës. Edi Rama është përmendur vazhdimisht nga media pranë PD-së me emrin e të atit në mes, për të nënvizuar lidhjen e tij me regjimin e vjetër. Po kështu, ua kanë numëruar të gjithë kolegët që kanë pasur prindërit në Bllokun komunist, apo të lidhur me regjimin. Po kështu, nga pala tjetër nuk kanë munguar përpjekjet për t’i kujtuar kryeministrit Berisha kohën kur ishte anëtar i Partisë së Punës, e sidomos kohën kur ishte përfshirë në rrethin e mjekëve që kujdeseshin për udhëheqjen. Fotografitë e tij me fëmijët e Enver Hoxhës kanë qenë disa herë në faqet e para të shtypit pranë opozitës.
Kështu, nëse në SHBA të gjelbërit përbuzen privatisht nga të dy krahët e politikës, në Shqipëri kjo bëhet publikisht. Ky shans për të hyrë në garën e madhe, si “i treti i bezdisshëm”, nuk është çudi që t’u ketë dhënë kënaqësi të madhe komunistëve në Tiranë. Nëse vota do të përcaktohet prej tyre, atëherë kjo do të ishte një lloj hakmarrjeje e vogël për përbuzjen e merituar që kanë marrë në këto vite.
Megjithatë, ka dy mësime që duhen nxjerrë nga ky lloj rezultati në votime (gjithnjë nëse del i tillë në Shqipëri). E vërteta është se këto vlenin së pari për Shtetet e Bashkuara, mirëpo pak janë nxënë edhe aty, 11 vjet pas atyre zgjedhjeve aq të përfolura.
Mësimi i parë është që çdo votë ka rëndësi. Supozimi se “vota ime nuk vlen, se kush ka për të fituar do të fitojë”, apo se “vota vidhet”, janë të pathemelta. Votimi mund të dalë kaq i ngushtë, sa një grusht vetash mund të vendosin fatin tonë. Askush nuk e ka të garantuar fitoren. Ndërsa, sa për vjedhjen e votave, ajo ka një kufi, nëse kandidatit A i vjedhin 10% të votave, atëherë ai përsëri mund të fitojë, nëse ka një përparësi “10% plus një votë” dhe ajo vota plus mund të kishte qenë ajo e jotja.
Mësimi i dytë është që një rezultat kaq i ngushtë është një mesazh më vete. Të dy krahët e politikës janë mësuar që ta paraqesin palën tjetër si fundi i botës. Mirëpo, votuesi në Tiranë, duke mos mundur të ndajë mendjen në mënyrë të qartë, më shumë se për njërin kandidat, ka votuar për bashkëpunimin. Në një qytet kaq barazisht të ndarë, gabimi më i madh është të injorosh kundërshtarin. Porosia më e mirë për atë që fiton është që nëse dëshiron të rizgjidhet në Tiranë, duhet të flasë jo vetëm me gjuhën e partisë së tij, por edhe me atë të partisë tjetër, një mision gati i pamundur për një kryetar partie.











