Hyn me armë te Ministria e Jashtme

Dec 8, 2011 | 14:38
Ministria e jashtme

Një grua 37-vjeçare u arrestua nga Policia e Tiranës pasi ka hyrë e armatosur në ambientet e Ministrisë së Jashtme. Sipas burimeve nga Policia, e arrestuara është identifikuar me emrin Margarita Zenelaj. Gjatë kontrollit fizik asaj i është gjetur në çantë një pistoletë tip “Parabel” me një krehër me 8 fishekë. Policia ishte vënë në ndjekje të saj prej dy ditësh, pasi i shoqi kishte denoncuar largimin e gruas nga banesa, madje edhe faktin që kishte një armë me vete. Policia kishte nisur kërkimet, ndërsa pasditen e së martës, Komisariati Nr. 1 është njoftuar nga punonjësit e Ministrisë së Jashtme se një grua ishte futur brenda dhe tentonte me forcë që të depërtonte në zyrën e informacionin të këtij dikasteri. Situata është tensionuar më shumë kur ajo ka nxjerrë nga çanta një pistoletë, që fillimisht është dukur si armë lodër, por më pas rezultoi të ishte armë zjarri e vërtetë. Efektivat e Komisariatit Nr. 1, menjëherë pas njoftimit të dhënë, e kanë shoqëruar gruan e armatosur, e cila gjatë verifikimit të dokumentacionit rezultoi të ishte 37-vjeçarja e denoncuar nga i shoqi si e larguar nga banesa. Sipas deklarimeve që bashkëshorti i së arrestuarës ka dhënë për policinë, rezulton se gruaja vuan nga një depresion në fazë të rënduar, prej të cilit edhe po merrte mjekim. Deklarimet e të shoqit janë vërtetuar gjatë marrjes në pyetje të së arrestuarës, e cila kishte luhatje të humorit, si dhe ka dhënë dëshmi kontradiktore rreth incidentit në Ministrinë e Jashtme.
INCIDENTI NE MINISTRI
Rreth orës 16:00 të ditës së martë, punonjësit e sigurisë në Ministrinë e Jashtme kanë lajmëruar një patrullë policie të Komisariatit Nr. 1 për të nxjerrë jashtë një grua, e cila kishte nxjerrë nga çanta një pistoletë që nuk dihej nëse ishte e vërtetë apo lodër. Sipas punonjësve të Ministrisë, gruaja ishte parë në ambientet institucionit që prej orës 10:00 të mëngjesit dhe kërkonte me ngulm të futej në zyrën e informacionit, pasi pretendonte se do të bënte një ankesë. Fillimisht ajo ka krijuar rrëmujë në korridoret e Ministrisë, duke tentuar të hapte derën me forcë, më pas ka nxjerrë nga çanta armën e zjarrit për disa sekonda dhe e ka futur prapë në çantë. Në këtë moment është vendosur që të njoftohej policia. Efektivat e Komisariatit Nr. 1 kanë arritur të kryejnë arrestimin në flagrancë, pasi në çantën e 37-vjeçares Margarita Zenelaj është gjetur një pistoletë tip “Parabel”, me numër 456, mbishkrimin “GESICHERT- 1937” dhe një krehër me 8 fishekë. Gruaja është shoqëruar në ambientet e komisariatit dhe gjatë verifikimit të dokumentacionit identifikues është zbuluar që Zenelaj ishte denoncuar para dy ditësh nga i shoqi, sepse ishte larguar nga shtëpia. Por, në denoncimin e tij, bashkëshorti tregonte se e shoqja vuan nga probleme depresioni në shkallë të rënduar, sëmundje për të cilën edhe merr mjekim rregullisht.

Gruaja, deklarime kontradiktore në polici
Nëna e dy vajzave të mitura, 12 dhe 11 vjeçe, Margarita Zenelaj, gjatë marrjes në pyetje ka dhënë dy versione të ndryshme rreth incidentit në Ministrinë e Jashtme. Fillimisht ajo ka thënë se kërkonte të futej në zyrën e informacionit të Ministrisë për të bërë një ankesë, pasi nuk po e pajisnin me vizë amerikane. Deklarim që e ka kundërshtuar brenda pak minutash, gjatë seancës së marrjes në pyetje. Varianti tjetër i dëshmisë së 37-vjeçares binte në kontradiktë me variantin e parë, pasi ajo deklaroi se kishte shkuar në Ministri për të dorëzuar një armë që e kishte gjetur në rrugë. Sipas saj, ajo nuk dinte se si veprohej në raste të tilla dhe i vetmi institucion që i është kujtuar ka qenë Ministria e Jashtme, pasi ajo po kalonte aty pranë.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura