Jahmir Hyka e thotë haptas se vetëm një ofertë nga jashtë mund ta tundonte për t’u larguar.Ai sqaron se kontrata e tij vlen edhe për një vit te bardheblutë, por nëse arrihet ndonjë akord me ndonjë ekip të huaj, atëherë do ta pranonte. Megjithatë, mesfushori nuk fokusohet shumë në këtë temë, ndonëse pranon se ka kontakte me një ekip europian, por pa përmendur emra. Ajo çka ai kërkon në këtë moment, është që të arrijë formën maksimale, si dhe të fitojë Kupën e Shqipërisë me bardheblutë. “Kam dy vjet kontratë me Tiranën, por në qoftë se më vjen ndonjë ofertë më e mirë nga jashtë, do ta bisedoj edhe me presidentin. Kam kontakte, por ende asgjë konkrete. Më mirë do të flisnim në fund të qershorit. Emrin e ekipit nuk mund ta them, por bëhet fjalë për një ekip europian”, – tha Hyka, duke sqaruar diçka rreth të ardhmes së tij. Dëshira jo vetëm e Hykës, por e të gjithëve në kampin bardheblu, është fitimi i trofeut të kupës. “Dëmtimin e kam kaluar, ndonëse jo plotësisht, megjithatë e rëndësishme është që kam dy ditë që i jam bashkuar grupit në stërvitje. Të them të vërtetën, jam i lumtur, sepse më kishte munguar topi, meqenëse jam fokusuar kryesisht te vrapi. Ndërkaq, ne si grup do punojmë në maksimum këto ditë, pasi në fund duam të kurorëzohemi me një trofe, atë të Kupës së Shqipërisë, si i vetmi objektiv që na ka mbetur. Edhe pse situata në ekip nuk është fort premtuese për shkak të mjaft problemeve, mendoj se fitimi i kupës mund të na rikthejë të gjithëve buzëqeshjen. Besoj se vitin tjetër gjendja mund të jetë më optimiste. Kur erdha në fillim, s’e kisha menduar që Tirana do ta mbyllte në ketë mënyrë kampionatin. Sidoqoftë, si ne dhe të tjerët e kanë parë si kanë rrjedhur ngjarjet dhe sulmet ndaj nesh. Vendi i pestë nuk i takon Tiranës, por s’kemi çfarë bëjmë për momentin. Edhe para tre vjetësh kam qenë në finale të kupës me Tiranën, por asokohe e mori Vllaznia. Ndaj më ka mbetur peng, kështu që do të doja një trofe me fanellën bardheblu”, – përfundoi mesfushori në lidhje me finalen e kupës kundër Dinamos.
Vujadinoviç-Rajoviç-Sukaj-Abraham, 4-shja e sigurt e Vllaznisë
Pavarësisht se ende nuk ka filluar të bisedohet me lojtarët të cilët kanë qenë pjesë e Vllaznisë në sezonin që po mbyllet, duket se pjesa më e madhe e këtyre lojtarëve të cilët kanë mbyllur sezonin me këto skuadra, mund të jenë përsëri pjesë e saj. Pas Vujadinoviç dhe Rajoviçit që kanë rinovuar kontratën, e gjithashtu Sukajt e Abraham që kanë edhe një vit kontratë me kuqeblutë, vetëm gjetja e një klubi jashtë Superligës mund t’i largojë ata nga kuqeblutë. Siç duket, lojtarëve që u ka përfunduar kontrata, mbështesin këtë opsion të shokëve të tyre. Pjesa kryesore e këtyre, me përjashtim të klubeve europiane, pak prej tyre do të ndërronin Vllazninë.
Pero Pejiç: E ardhmja ime, në dorë të Halilit
Pero Pejiç është në shënjestrën e Skënderbeut. Korçarët duan ta kenë pjesë të tyre për sezonin e ri, mirëpo duket se vetë dëshira e Pejiçit është të qëndrojë. Në fakt, shtatlarti “besnikërinë” e tij ia ka lënë në dorë vetë presidentit Refik Halili. Në rast se kreu i klubit do të tregohet korrekt nga ana financiare, atëherë asnjë ofertë tjetër nuk do ta joshte Peron. “Unë nuk kam pasur kontakte të drejtpërdrejta, ndonëse më janë hedhur fjalë që ata më kërkojnë për sezonin e ardhshëm. Mua realisht më përfundon kontrata me Tiranën në fund të këtij sezoni, megjithatë për të ardhmen do të vendos vetëm pasi të flas me drejtuesit e klubit. Dëshira ime është të qëndroj, sepse Tirana është skuadra më e mirë në Shqipëri, por ama do rrija vetëm nëse kreu i klubit Halili do të tregohet korrekt nga ana financiare”, – tha kroati.
© Panorama.al











