Humbja e bashkisë, ikën Bare. Komandohet Tahiri

Sep 7, 2011 | 10:13
Edi Rama duke vizituar besnik Baren ne spital gjate greves se urise se socialisteve para kryeministrise

Kreu i Partisë Socialiste për Tiranën, Besnik Bare, ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë. I kontaktuar në telefon, Bare tha për gazetën “Panorama” se nuk do të rikandidojë për këtë post në zgjedhjet e radhës, që do të zhvillohen brenda muajit tetor.Sipas tij, arsyeja pse tërhiqet ka të bëjë dhe me hapjen e rrugës për figurat e reja në PS dhe marrjen e përgjegjësive në drejtimin e saj. Humbja e bashkisë së Tiranës duket se i ka kushtuar Bares postin e drejtimit të degës më të madhe të socialistëve në vend. Bare u zgjodh në këtë post vitin 2005, pas zgjedhjeve të përgjithshme të atij viti. Në vend të Bares do të jetë deputeti i Tiranës, Sajmir Tahiri, i cili do të drejtojë këtë degë deri në zgjedhjet e tetorit, përmes parimit “një anëtar, një votë”.
Dy ditë më parë, në një mbledhje me deputetët e Tiranës, ku merrte pjesë dhe kryetari socialist, Edi Rama, Besnik Bare ka argumentuar arsyet e mosrikandidimit të rij në krye të PS së Tiranës. Sipas tij, arsyeja kryesore ishte hapja e rrugës për më të rinjtë, ndërsa është shprehur se do të jetë pranë tyre për të dhënë ndihmesën e tij në punët e Partisë Socialiste të Tiranës. Ka qenë kreu i PS, Rama, që ka vlerësuar kontributin e Bares në krye të PS së kryeqytetit, ndërsa e ka cilësuar vendimin e tij si një zgjedhje personale. Rama ka komanduar deputetin e Tiranës, Sajmir Tahiri, që të drejtojë partinë e kryeqytetit, ndërsa në muajin tetor, kur do të bëhen zgjedhjet në PS, ai do t’i nënshtrohet votimit të anëtarësisë socialiste. Tahiri, i cili ishte i angazhuar në zgjedhjet e 8 majit në Njësinë Nr. 6 në kryeqytet, në zonën e Kombinatit, arriti rezultatin më pozitiv në këto zgjedhje. Ndryshe nga rezultati i 2009-s, në këtë njësi u rikuperuan rreth një mijë vota duke e çuar rezultatin e datës 14 maj në vetëm 10 vota plus për Edi Ramën. Ndërsa njësitë e tjera bashkiake arritën një rezultat negativ krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, duke e çuar Tiranën në një rezultat pothuaj të barabartë mes dy kandidatëve, edhe pse Rama në 2007-n kishte fituar me një diferencë prej 22 mijë votash. Asambleja e fundit e socialistëve vendosi hapjen e fushatës zgjedhore në PS, ku kanë nisur analizat dhe zgjedhjet në të gjitha strukturat, që nga organizatat socialiste e deri në kongres. Anëtarësia socialiste do të zgjedhë, përmes parimit “një anëtar, një votë”, delegatët e rinj të kongresit dhe kryetarët e degëve socialiste të bashkive dhe komunave. Në nëntor do të mblidhet kongresi zgjedhor i PS, i cili do të zgjedhë Asamblenë e re Kombëtare, ndërsa vetë Asambleja do të zgjedhë Kryesinë e re të PS.

Rama shtron drekë pune për aleatët

Kreu socialist shtroi dje një drekë pune për krerët e partive aleate, por një pjesë e vogël e tyre ishin të pranishme. Kreu i PDS, Paskal Milo, kreu i PSV 91, Petro Koçi dhe kreu i PDK, Nard Ndoka, ishin prezentë në takimin me kryesocialistin Rama. Ra në sy mungesa e Skënder Gjinushit, për të cilin në takim është thënë se ndodhej në qytetin e Vlorës, ndërsa mungonte edhe Vangjel Dule, Spartak Ngjela dhe kreu i G99-s, Ervin Mete. Ngjela, i pyetur në telefon, tha se takimi ishte informal, ku nuk merreshin vendime për opozitën. Mësohet se gjatë drekës, biseda ka prekur tema të tilla si e nesërmja e Opozitës së Bashkuar, çfarë aksionesh politike duhet të organizojë ajo, por nuk është artikuluar asnjëherë çështja e protestave. Gjithashtu, mendime janë dhënë dhe për Kodin Zgjedhor dhe ndryshimet që duhet të ndodhin në të. Dreka ka zgjatur rreth 2 orë dhe është organizuar te një nga restorantet e njohura të Kullave Binjake.

Programi

Socialistët do të mbledhin në muajin nëntor kongresin zgjedhor ku do të miratojnë dhe programin e ri, strukturën e re organizative dhe ndryshimet në statut. Dy grupe janë duke punuar për këtë projekt të ri, ndërsa vetë puna e tyre është ndarë në nëngrupe, ku po punohet për çështje të veçanta që do të përbëjnë programin e ri politik të Partisë Socialiste.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura