Humbi prindërit e motrën nga zjarri në banesë, 2-vjeçarja jashtë rrezikut

Dec 6, 2011 | 11:31
Banesa që u dogj dy ditë më parë

TIRANE – Vajza 2-vjeçare, e vetmja e mbijetuar e familjes Spahiu, që u shkrumbua nga flakët dy ditë më parë në Tiranë, sipas mjekëve e ka kaluar rrezikun për jetën. Plagët e shkaktuara nga flakët në trupin e saj duken mjaft të vështira për t’u mjekuar në spitalet shqiptare. Sipas stafit mjekësor në pavijonin e djegieve që po trajton  vogëlushen Dea Spahiu, vajza tashmë nuk ka më rrezik për jetën, por për të zhdukur plagët që mund t’i mbesin në trup përjetësisht është e domosdoshme kirurgjia plastike. Mjekja që kujdeset për 2-vjeçaren, e cila humbi nënën, babain dhe motrën, tregon se vajza është ekstubuar dhe ka një frymëmarrje të rregullt. Ajo është mbajtur 24 orë në intubim, në reanimacionin e spitalit, ndërsa pas terapisë intensive, tashmë ka lehtësi në frymëmarrje. Plagët dhe djegiet po mbahen nen kontroll për të shmangur çdo infeksion te mundshëm. Dea u gjet pothuajse e asfiksuar, e përqafuar nga i ati, Genci Spahiu, i cili e kishte mbuluar në mënyrë që ajo t’u shpëtonte flakëve. Por vetë babai i vogëlushes nuk arriti të mbijetonte nga tragjedia, duke humbur jetën bashkë me gruan e tij Florida dhe vajzën tjetër 5 vjeçe, Jona. Të tre u përcollën dje në banesën e fundit, tek varrezat e Tufinës, në një ceremoni mortore ku morën pjesë të afërm dhe pothuajse të gjithë fqinjët e tyre. Ndërsa zyrtarisht Policia e Tiranës u shpreh dje se 3 anëtarët e familjes kanë gjetur vdekjen nga asfiksia. “Si pasojë e një shkëndije elektrike (hapje të çelësit të dritave, celularë), ka shpërthyer masa e gazit, e cila solli djegien e banesës, si dhe djegien e pjesshme të viktimave, ku nga çlirimi i gazit dhe tymit janë asfiksuar”, thuhet në deklaratën e Policisë.

© Panorama.al

Te lidhura