Humbi jetën tragjikisht në aksident, homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti mbahen në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë

Jul 19, 2026 | 11:20

Gazetari i News24, Enrik Mehmeti u shua në moshën 40-vjeçare në një aksident tragjik me motor në plazhin e Porto-Novës në Vlorë.

enrik mehmeti

Homazhet në nderim të Enrikut do të mbahen nga ora 12:00-14:00, në teatrin “Petro Marko” në Vlorë. Ndërsa përcjellja e gazetarit për në banesën e fundit do të bëhet në orën 14:00.

Pasioni për gazetarinë që fëmijë, rrugëtimi i Enrik Mehmetit në 20 vite karrierë!

I apasionuar pas Lajmit të Fundit, por u bë lajmi më i pabesueshëm dhe më i trishtë për këdo që pati fatin ta njohë, të bisedojë dhe të punojë me të, Enrik Mehmeti la pas një karrierë të gjatë e të begatë në median e shkruar e vizive.

Ai iu bashkua News24 që në ditët e para të themelimit të televizionit, duke raportuar me përkushtim dhe profesionalizëm për ngjarjet e ndodhura në qytetin e Vlorës, nga kronika e zezë, operacionet e bujshme policore, problematikat sociale, turizmi etj., duke lënë pas një humbje të madhe për familjen mediatike Focus Media Group.

Me guxim të jashtëzakonshëm që kur ishte fëmijë, në plumbat që vërshëllenin pranë tij në vitin famëkeq 1997, Enrik Mehmeti asokohe vetëm 11 vjeç iu bashkua kampit misionar “Alba” si përkthyes, duke u bërë kështu zëri i të pamundurve.

Në guximin e fëmijës, të burrëruar ende pa u rritur, Enrik Mehmeti siç ka deklaruar më parë, kuptoi se gazetaria ishte misioni i tij i jetës, duke rendur jo thjesht në kërkim të lajmit, por lajmi ndodhte atje ku ai ishte, në kohë reale.

Me vendosmërinë si forcë të karakterit të tij dhe fjalën si mjetin më të fuqishëm të gazetarit, ai iu bashkua si korrespondent edhe televizionit “Rai” në Itali, duke transmetuar drejtpërdrejt ngjarje nga Shqipëria.

Largimi i parakohshëm nga jeta, është një humbje e madhe për komunitetin e gazetarëve, humbje për Vlorën e vlonjatët, për të cilët u bë zëri i munguar dhe imazhi që i përfaqësonte!

News24, BalkanWeb, Gazeta Shqiptare dhe Panorama shprehin ngushëllime të përzemërta për nënën, bashkëshorten, fëmijët, vëllanë dhe familjarët e tjerë, duke u përbashkuar në lutje që shpirti i Tij të gjejë paqen e merituar.

© Panorama.al

Te lidhura