Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar me anë të një mesazhi ngushëllimi pas ndarjes tragjike nga jeta të gazetarit të News24, Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën në moshën 40-vjeçare në një aksident rrugor në Vlorë.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Berisha shprehu ngushëllimet për familjen, miqtë dhe kolegët e gazetarit, duke vlerësuar kontributin e tij profesional dhe përkushtimin ndaj qytetit të Vlorës.
“Nderim për gazetarin e mirënjohur Enrik Mehmeti.
Miq, ditë zije për familjen Mehmeti, për gazetarinë dhe mediat e vendit, por edhe Vlorën e banorën e saj gazetari i mirënjohur Enrik Mehmeti mbylli në moshën 40 vjeç tragjikisht sytë përgjithmonë.
Enrik Mehmeti do të mbahet mend gjithmonë nga familja dhe qyteti i tij si bir, bashkëshort, prind dhe qytetar shembullor, si një gazetar i talentuar, i guximshëm, dhe avokat i vërtetë i interesit publik të qytetarëve të Vlorës.
Me këtë rast i shpreh familjes Mehmeti, miqve, të afërmëve dhe kolegëve te Enrikut ngushëllimet më të ndjera dhe lutem së bashku me ata që shpirti i tij i mirë të gjejë paqen e merituar. Amin!”, shkroi Berisha.
© Panorama.al












