Marrja e një fondi prej 100 miliardë eurosh pa asnjë kusht për masa kursimi në Spanjë ka “zemëruar” grekët, përfshirë njeriun që mund të bëhet Kryeministri i ardhshëm i vendit, liderin e Syriza, Alexis Tsipras. Ndërkohë që Greqisë i është dashur që ta paguajë me masa të ashpra kursimi marrjen e huave, fondi për Spanjën u miratua pa i përmendur fare këto masa. Kështu, Tsipras u ka kërkuar drejtuesve të institucioneve europiane dhe FMN-së që të rishikojnë kushtet e kredive për popullin grek. Po ashtu edhe irlandezët. Tsipras tha para zgjedhjeve të së dielës se marrëveshja spanjolle ka treguar se Europa “po e braktis politikën e saj të masave të kursimit”. Ai shtoi se marrëveshja ishte në kontrast me marrëveshjet e mëparshme që kanë nënshkruar për popullin grek, të cilat, sipas Tsipras, janë mjaft të dëmshme për të. Spanjës i është kërkuar vetëm të ristrukturojë sektorin e saj të trazuar financiar, i cili ka humbur miliarda euro me hua të këqija. Ndërkohë vlerat e aksioneve dhe të naftës, si edhe euro u rritën, dy ditë pasi eurozona i ka ofruar Spanjës kredinë 100 miliardë euro për të shpëtuar bankat e saj. Spanja, ekonomia e katërt më e madhe e eurozonës, është vendi i katërt i grupit të monedhës së përbashkët që kërkon ndihmë, pas Greqisë, Irlandës dhe Portugalisë.











