KAVAJE – Një 59-vjeçar është arrestuar mbrëmjen e djeshme nga Policia e Kavajës, pasi ishte shpallur në kërkim që prej muajit prill të këtij viti, me akuzën e shkatërrimit të pronës me zjarr, si dhe tentativë vrasjeje me eksploziv. Burime nga Policia e Tiranës thanë se është arrestuar në Kavajë Muhamet Shehi, 59 vjeç, banues në Selitë të Tiranës, pasi akuzohet të jetë autor i dy ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura më 21 prill 2012, ku ka vendosur një sasi lënde eksplozive te banesa e shtetasit Zenun Muça. Ndërsa tri ditë pas dështimit me eksploziv, më datë 24 prill, po kësaj banese i ka vënë flakën, duke e djegur pjesërisht. Të dyja ngjarjet e kanë zanafillën te një borxh prej 22 mijë eurosh, që autori i detyrohej pronarit të shtëpisë, Zenun Muça. Burime nga Policia e Kavajës thanë se autori i dyshuar i ngjarjes, Muhamet Shehi, duke qenë fqinj me të dëmtuarit Zenun Muça, i ka kërkuar këtij të fundit që t’i japë 22 mijë lekë borxh, pasi kishte disa probleme familjare dhe do ia kthente brenda dy muajsh. Në mirëbesim dhe për faktin se ata ishin fqinjë me njëritjetrin, Zenun Muça ka rënë dakord dhe i ka dhënë hua autorit shumën e kërkuar, duke besuar se ai do ia kthente në datën e caktuar. Por pasi kanë kaluar disa javë nga koha kur duhej kthyer borxhi dhe borxhliu nuk po kujtohej, atëherë Muça i ka telefonuar disa herë autorit duke i kërkuar që t’i kthente paratë. Por përveçse nuk ia ka kthyer, autori Shehi ka tentuar edhe t’i hedhë në erë banesën, duke i vendosur eksploziv. Megjithëse tritoli nuk ka shpërthyer, Shehi nuk e ka lënë me aq, por i ka vënë edhe flakën banesës së personit që e ndihmoi duke i dhënë para borxh.











