Hua brezave të ardhshëm

Sep 11, 2011 | 11:25

EDMOND TUPJA

Zhan-Zhak Rusoi, ky filozof mendjendritur i shekullit XVIII në Francë, shkruan diku, në veprën e tij “Përsiatje mbi prejardhjen e pabarazisë”: “I pari që, pasi rrethoi me gardh e me hendek një copë tokë, tha: Kjo është e imja dhe gjeti përreth disa njerëz aq të leshtë sa për ta besuar, ky njeri, pra, qe themeluesi i vërtetë i shoqërisë së organizuar. Sa krime, luftëra, vrasje, sa vuajtje dhe tmerre do t’i kishte kursyer racës njerëzore ai që, duke i shkulur hunjtë e gardhit dhe duke e mbushur me dhé hendekun në fjalë, do t’u kishte thënë me zë të lartë sivëllezërve të tij: Mos ia vini veshin këtij mashtruesi: do të merrni fund po të harroni se frutat u përkasin të gjithëve dhe se toka nuk i përket askujt!”. Sigurisht që pa lindjen dhe lulëzimin e pronës private e të marrëdhënieve në prodhim që u zhvilluan si pasojë, shoqëria njerëzore nuk do të kishte bërë përpara dhe nuk do të kishte arritur stadin që njeh sot, por nga citati i Rusoit më është ngulitur mirë në kujtesë ideja se “…frutat u përkasin të gjithëve dhe se toka nuk i përket askujt!”, ide që ma kujtoi, para disa kohësh, një bisedë që pata rastin të ndiqja në radio, gjatë së cilës, një mendimtar, filozof apo sociolog francez pohoi se “ne, njerëzit e sotëm, kujtojmë se planeti Tokë na përket vetëm neve, por harrojmë që, në të vërtetë, ne ua kemi marrë atë hua brezave të ardhshëm”.
Te këta njerëz të sotëm bëjmë pjesë edhe ne, shqiptarët; si ata, edhe ne, shqiptarët, pandehim se Shqipëria me pasuritë e saj na përket vetëm neve, brezit të sotëm; harrojmë ne, shqiptarët, se Shqipërinë ua kemi marrë hua brezave të ardhshëm, shqiptarë edhe ata, dhe se duhet t’i mendojmë thellë, gjerë e gjatë veprimet tona në mënyrë që vendin tonë t’ua lëmë atyre në gjendje të mirë, madje shumë të mirë. Sigurisht që nuk e kam fjalën thjesht për të mos e ndotur mjedisin – ajër, ujë, tokë –, për të mos i masakruar pyjet, faunën dhe florën e tyre, për të mos i shpërfytyruar qytetet e fshatrat tona, bregdetin, liqenet dhe lumenjtë tanë. E kam fjalën, gjithashtu, sidomos, kryesisht dhe veçanërisht, për “privatizimin” e “nëndheshëm”, pra, të paligjshëm, të shumë sektorëve të ekonomisë, kulturës, shkencës dhe arsimit publik nga ana e atyre që na qeverisën dje, na qeverisin sot e do të na qeverisin nesër. E thënë më troç, e kam fjalën për përdorimin e pronës publike, e të mirave materiale e shpirtërore të krijuar nga populli, si të ishin prona të disa të mëdhenjve, pavarësisht se cilit krah të spektrit të politikës shqiptare i kanë përkitur, i përkasin dhe do t’i përkasin ata. Një përdorim i tillë i paligjshëm i pronës publike të shpie, dashur pa dashur, te slogani “Në emër të popullit, kundër popullit”. Ky përdorim bëhet fatkeqësisht i mundur vetëm në sajë të korrupsionit, i cili tashmë është shndërruar në një realitet i pamohueshëm në Shqipëri.
Lidhur me korrupsionin në fjalë, i cili e bën të mundur tjetërsimin e pronës publike tek ne, frika është se, po të mos merren de jure e të zbatohen de facto dhe në sinergji masa të rrepta kundër tij dhe (pro)motorëve të tij, shumë shpejt në Shqipëri mund të ndodhë ajo çka shpjegonte para disa muajsh një autor algjerian, i cili sapo kishte botuar në Francë një libër me titull “Korrupsioni dhe algjerianët”; sipas tij, klasa politike algjeriane synon që çdo banor i vendit, sidomos ata që punojnë në sektorin publik, të kthehet në një të korruptuar, kështu që, kur të ketë marrë fund ky proces, korrupsioni nuk do të jetë më një vlerë negative, por do të kthehet, në rastin më të keq, në një vlerë asnjanëse, pra, të pranueshme, duke u bërë zyrtarisht normë, standard, institucion.
Këtë druaj unë se mos ndodhë, në një të ardhme jo fort të largët, edhe në Shqipërinë time, tënde, tonë, i dashur lexues i vëmendshëm e i paanshëm i kësaj rubrike. Qofsha i gabuar!

© Panorama.al

Te lidhura