Artan Hoxha: Prioriteti im do të jetë pastrimi i baltës 20-vjeçare

Jun 15, 2012 | 12:40
Artan Hoxha

Kandidati për President i propozuar nga maxhoranca, Artan Hoxha, ka reaguar dje në rrjetin social “Facebook”, ku është shprehur se do të nisë pastrimin e baltës së hedhur ndaj tij gjatë këtyre ditëve, siç e quajti ai. Analisti i njohur ishte për rreth 12 orë kandidat i shumicës për kreun e shtetit, por akuzat e opozitës lidhur me të shkuarën e tij, bëri që Hoxha të tërhiqej duke i hapur rrugë kandidimit dhe më pas zgjedhjes së ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani. “Ju falënderoj pa masë për vazhdimin e mesazheve të shumta mbështetëse. Doja t’ju bëja me dije se pas të hënës, me fare pak çaste mërzie, por shumë e gjatë dhe e lodhshme, si dhe pas të martës, kur bëra pak pushim të domosdoshëm, sot kam nisur zbatimin e prioritetit tim absolut, atë të pastrimit të baltës së hedhur në 20 vite që u rihodh njëherazi e përqendruar e organizuar dhe me mënyra më të sofistikuara në veçse pak orë këtë të hënë”, shprehet Hoxha në komunikimin me miqtë e tij në faqen në “Facebook”. Në të njëjtën kohë, drejtuesi i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, thotë se nga pozicioni i Presidentit do ta kishte të vështirë që ta vazhdonte luftën 20-vjeçare ndaj tij. “Gabimi im i vetëm është që i kam neglizhuar këto 20 vite. Këtë të hënë sqarimi i tyre në aq pak kohë ishte i pamundur. Gjithashtu, nëse do të kisha vazhduar rrugën drejt Presidencës, pastrimi i baltës do të komprometonte postin dhe qëllimin tim lidhur me detyrën shtetërore. Ky do të ishte bumerang edhe për vetë pastrimin e kësaj balte. Nuk mund ta pastroj baltën duke rënë në konflikt, qoftë edhe aparent, interesi. Pastrimi në çdo rast do ishte i dyshimtë”, shprehet më tej Hoxha. Sipas tij: “Tashmë këtë do ta ndjek si qytetar i thjeshtë. Vetë, me durim, hap pas hapi, në rrugë ligjore, gërshetuar me komunikimin publik. Në radhë të parë akuzën më të ndyrë, atë të bashkëpunëtorit me Sigurimin e Shtetit, por edhe të tjerat. E di që s’ka për të qenë e lehtë. E di që nuk është e pamundur. Baltën dhe baltosësit nuk i neglizhoj më, siç kam bërë deri më sot. Pjesa tjetër e jetës dhe aktivitetit vazhdon njësoj si më parë”. I pyetur nga një prej miqve të tij, nëse në tërheqjen nga gara presidenciale kishte gisht edhe Fatos Nano, Hoxha e përjashton këtë mundësi, duke thënë se ish-kryeministri e ka uruar për kandidimin.

© Panorama.al

Te lidhura