TIRANË- Drejtues të talentuar, prind shembullor dhe shërbëtor të ndershëm, e të vendosur të vendit dhe shoqërisë shqiptare e ka quajtur kryeministri Sali Berisha ish kreun e përgjithshëm të policisë, Astrit Mehja, ndarë nga jeta një ditë më parë.
Gjatë homazheve të zhvilluara për nder të tij në ambientet e Drejtorisë së Policisë, morën pjesë mes të njohurve, kolegëve, të afërmve, edhe drejtues të lartë.
Në fjalën e tij për mediat, kryeministri Sali Berisha, shoqëruar nga kreu i policisë, Hysni Burgaj, ka vlerësuar lart rolin dhe punën e bërë nga Mehja në strukturat e policisë në postet që ka mbajtur.
“Shpreh dhimbjen dhe ngushëllimet e mia për ndarjen nga jeta të njërit prej të përkushtuarve të shtetit dhe të vendit. Njërin prej drejtuesve të talentuar të policisë së Shtetit, kolonel Astrit Mehja. Me këtë rast, shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes Mehja, miqve dhe të afërmve të tyre, të gjithë Policisë së Shtetit, pasi sot përcjellim në banesën e fundit një prind shembullor, qytetar të shkëlqyer, një shërbëtor të ndershëm e të vendosur të vendit dhe të shoqërisë shqiptare, drejtues të talentuar të policisë”- tha ai.
© Panorama.al












