Holtkemper kërkon ndershmëri nga Kolegji

May 26, 2011 | 18:07

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë,  Carola Müller- Holtkemper ka vlerësuar ditën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Shqipëri, si një ditë që kaloi mirë, duke theksuar se procesi ende nuk ka përfunduar dhe se tashmë gjithçka varet nga Kolegji Zgjedhor që apelimet të trajtohen në mënyrë të ndershme dhe transparente dhe në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar.

Gjatë një intervistë për “Deutsche Ëelle” në shqip, ambasadorja Holtkemper tha se është për të ardhur keq që niveli i lartë i tensionit  dhe i polarizimit të shoqërisë në Shqipëri vazhdon ende. Sipas saj, kjo ndodh kryesisht për shkak të paqartësive në kuadrin ligjor dhe rezultatit të ngushtë për Tiranën.

Për Holtkemper, është e rëndësishme që në fund të gjitha palët të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve.

“Çështjet që nuk mbulohen në mënyrë të qartë nga kodi Elektoral duhet të zgjidhen në frymën e dialogut dhe të konsensusit. Gjatë gjithë procesit duhet të mbizotërojë qetësia, pasi dhuna është krejtësisht e papranueshme”- shprehet ajo.

E pyetur lidhur me idenë për praninë e një këshilltari nga jashtë për çështjet e debatuara lidhur me vendimet e KQZ-së, ajo shprehet se kryerja e zgjedhjeve është para së gjithash përgjegjësi e institucioneve shqiptare.

Sipas saj, aftësia për të zhvilluar zgjedhje, ku rezultati pranohet në përgjithësi, tregon pjekurinë e institucioneve politike. Ndërkombëtarët kanë rolin e tyre, por Holtekemper nënvizion se “në fund të fundit, zgjedhjet duhet të jenë një proces i shqiptarëve.”

Në tetor, BE do të publikojë Progres Raportin për Shqipërinë dhe për të,  nëse situata e tanishme vazhdon, atëherë është e dyshimtë nëse ky raport do të tregojë përmirësime thelbësore.

“Le të shpresojmë që do të gjejë vend racionaliteti dhe fryma konstruktive”- përfundon ambasadorja gjermane në Tiranë.

© Panorama.al

Te lidhura