Trajneri i “tulipanëve”, Bert van Marvijk, shpreson te “dojçët”
Holanda, pas ecurisë në Botërorin 2010, erdhi në Europianin e 14-të në rolin e skuadrës favorite, por dy humbjet në grup dhe përçarja e lojtarëve mund ta çojnë atë në një fatalitet historik. Nënkampionët e botës nuk kanë marrë ende asnjë pikë në grup, dhe për këtë shkak rrezikojnë të presin biletën e kthimit në shtëpi, pasi shanset e tyre janë tepër të vogla për kualifikim. Megjithatë, “tulipanët” nuk e shohin të vërtetën bardhezi dhe vazhdojnë të shpresojnë për të realizuar shansin e fundit që u ka mbetur, duke u varur nga rivali i tyre historik, Gjermania. E gjithë Holanda u është gjunjëzuar “pancerave” të Lëvit, pasi këta të fundit duhet të fitojnë ndeshjen e fundit në grup ndaj Danimarkës. Trajneri Bert van Marvijk ka besim të plotë te serioziteti i gjermanëve, konkretisht te kolegu i tij, Joakim Lëv. “Nuk jemi ende jashtë dhe jam i sigurt që edhe djemtë e mi këtë mendojnë. Ne duhet të fitojmë ndaj Portugalisë me dy gola diferencë dhe do të bëjmë realitet ëndrrën tonë, duke fituar edhe Gjermania ndaj Danimarkës. Për sa kohë që kjo është e mundshme, ne duhet të shpresojmë. Të jem i sinqertë, Gjermaninë e kam dashur dhe do ta dua. Për ne është e nevojshme”, u shpreh trajneri Marvijk, duke kritikuar paraqitjen e Robenit dhe Afelait. “Nuk e kisha llogaritur humbjen. Shpresoja minimumi te barazimi. Van Persi dhe Huntelar luajtën shumë mirë, por në krahët e Robenit dhe Afelait nuk erdhi asgjë. Nëse ata do paraqiteshin rrezikshëm, gjermanët do ta kishin të vështirë. Kemi nevojë për klasin e tyre në këto ditë të vështira”. Kurse nga ana tjetër, trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, nuk jep asnjë garanci për fitoren, pasi ai kënaqet edhe me barazim. Fakti që s’ka aktivizuar asnjë lojtar të ri stoli dhe fakti që do të mungojë Boateng, pritet të luhet me një skemë ndryshe. “Danimarka do të bëjë çmos për të na ndalur, pasi këtu varet edhe fati i tyre. Do ta kemi shumë të vështirë, pasi ata janë shumë kompaktë në mbrojtje. Ne s’e kemi siguruar ende kualifikimin, ndaj na duhet edhe një pikë. Për sa i përket mungesës së Boatengut, kemi tri alternativa: të luajë Lahm në të djathtë dhe Shmelcer në të majtë; ta zëvendësojë Lars Bender, por duke parë që danezët mbrohen mirë, mund të luajmë edhe me tre mbrojtës”, deklaroi Joakim Lëv, i cili është i paparashikueshëm.
VAN BOMEL U FALET ISH-KOLEGËVE
Kapiteni i Holandës, Mark van Bomel, ka zhgënjyer në dy ndeshjet në grup. Teksa mbahen në fije të perit, ata vazhdojnë të shpresojnë për kualifikimin në çerekfinale. Duke mos përballuar dot Gjermaninë, ndaj të cilëve humbën 1-2, ata kanë varur shpresat te “pancerat”. Këta të fundit duhet të fitojnë ndaj Danimarkës në mënyrë që “tulipanët” ta vendosin vetë fatin ndaj Portugalisë. Duke qenë një ish-kapiten i Bajernit, ai në mënyrë indirekte u është lutur ish-kolegëve të fitojnë ndeshjen e fundit. Teksa shkëmbeu fanellën me Mylerin, ai shprehet i bindur për një fitore të gjermanëve. “Shokët e mi më premtuan për fitore. Jam i sigurt që ata do e mbyllin me sukses”, pohon Van Bomel.
Romendal do të mungojë me Gjermaninë
Sulmuesi i Danimarkës, Denis Romendal, nuk do të luajë në takimin ndaj Gjermanisë ditën e shtunë. Trajneri i përfaqësueses, Morten Olsen, tha se futbollisti ka pësuar një dëmtim dhe për pasojë do të qëndrojë jashtë. Sulmuesi 33-vjeçar ka luajtur 118 ndeshje me përfaqësuesen. Në vend të tij pritet që të aktivizohet Tobias Mikelsen. Lojtari bëri një paraqitje të mirë ndaj Brazilit dhe duket se ka fituar besimin e teknikut. Lajme të mira edhe për Niki Zimlingun, që mund të jetë gati ndaj “pancerave”. “Nuk ka asnjë shans me Romendalin. Ai nuk do të jetë ndaj Gjermanisë. Ndërsa Zimling ka ende shpresa për t’u rikuperuar”, tha tekniku Olsen. Danimarka kalon në çerekfinale nëse arrin të mundë Gjermaninë dhe Portugalia dështon të marrë tri pikët me Holandën.
“Mesi, Mesi”, Ronaldo, thumbon argjentinasin
Sa herë që Ronaldo merrte topin ndaj Danimarkës, tifozët kundërshtarë thërrisnin emrin e Mesit. Kapiteni luzitan ka reaguar pasi është pyetur nga gazetarët për talljet nga danezët, se: “A e dini se ku ishte Mesi gjatë kësaj kohe në vitin e kaluar? A e dini këtë gjë? Ai ishte eliminuar në Kupën e Amerikës, në shtetin e tij, në Argjentinë. Unë mendoj se kjo gjë është më keq se sa rasti im, apo jo?”. Megjithatë, argumentet e Kristiano Ronaldos nuk janë të sakta, pasi Argjentina arriti deri në çerekfinalet e Kupës së Amerikës dhe u eliminua nga Uruguai, që fitoi edhe këtë kompeticion.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











