Hipotekat përplasin Bashkinë e Ministrinë

Jan 26, 2012 | 11:33

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese

Debati te Veprimtaria Prodhuese për ligjin që hipotekon pallatet e braktisura nga ndërtuesit ose të falimentuara

Qeveria dërgon ligjin në Kuvend pa konsultë me Bashkinë e Tiranës
Projektligji për Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve në sektorin e ndërtimit ka përplasur Ministrinë e Punëve Publike dhe Bashkinë e Tiranës. Kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Jemin Gjana, deklaroi dje se ndryshimet e propozuara nga Ministria e Punëve Publike duhen të ishin konsultuar dhe me Bashkinë e Tiranës, e cila ka problematikën kryesore me ndërtesat problematike. Gjana tha se nga Bashkia e Tiranës kanë ardhur një sërë vërejtjesh, të cilat imponojnë riformulimin e neneve të projektligjit për sektorin e ndërtimit. “Mua më është kërkuar që të kem në vëmendje që Bashkia e Tiranës e sheh projektin në fjalë pa pronë, që do të thotë që ose nuk është parë siç duhet, ose kanë lindur diskutime të mëtejshme për të përmirësuar draftin”, theksoi ai. Por, nga ana tjetër, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve Publike theksoi se drafti u është dërguar bashkive, por ato nuk kanë shprehur asnjë koment apo sugjerim. Gjatë diskutimeve, deputeti i PS-së, Eduard Shalsi, theksoi se drafti i propozuar nga ministria duhet të marrë më parë dhe opinionin e ALUIZNI-t dhe të Shoqatës së Ndërtuesve. “ALUIZNI nuk trajton vetëm objektet e ndërtuara pa leje, në vitin 2008, këtij institucioni i keni dhënë të drejtën që të legalizojë dhe shtesat e pallateve që kanë pasur leje ndërtimi nga bashkia”, pohoi Shalsi. Pas diskutimeve, anëtarët e maxhorancës dhe opozitës kanë kërkuar nga përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve Publike që të zhvillojnë konsulta me Bashkinë e Tiranës, ALUIZNi-n dhe grupet e interesit. Sipas kryetarit Gjana, kthimi i projektligjit për riformulim në qeveri do të donte një kohë të gjatë, ndaj kërkoi nga Ministria e Punëve Publike të punojë me ekspertët e Bashkisë së Tiranës, në mënyrë që drafti t’i japë zgjidhje problemit të hipotekimit të banesave.
Hipotekat
Amendimi ligjor i jep zgjidhje problematikës së ndërtesave, të cilat nuk janë përfunduar dhe banojnë familjarë, të cilët nuk janë pajisur me hipotekë. Sipas ndryshimeve që propozohen, synohet të jepet zgjidhje për ndërtesat të cilat kanë mbetur pa tapi për shkak të falimentit të investitorit apo të largimit të tij për shkaqe të ndryshme. Për këto ndërtesa synohet që t’i jepen kompetenca pushtetit vendor që të bëjë kolaudimin teknik dhe të pajisë blerësin me hipotekë, duke e regjistruar automatikisht në ZRPP. Në relacionin e ligjit, në nenin 12 thuhet se: “Në rastet kur investitori që ka ndërtuar objektin është larguar ose kur shoqëria tregtare ka falimentuar, është likuiduar e është çregjistruar nga regjistri tregtar apo nuk ka kryer kolaudimin e objektit pa shkaqe të vlefshme ligjore, atëherë procedurat në vazhdim do të ndiqen nga njësia përkatëse e qeverisjes vendore, e cila do të caktojë një kolaudator të licencuar për përgatitjen e procesverbalit të kolaudimit. Shpenzimet për kolaudatorin do të përballohen nga njësia e qeverisjes vendore. Procesverbali nënshkruhet nga një përfaqësues i njësisë së qeverisjes vendore, nga mbikëqyrësi i punimeve dhe kolaudatori i caktuar nga NJQV-ja”.

Diskutimet te Veprimtaria Prodhuese
Jemin Gjana:
Ka një shqetësim që ende s’ka ardhur në rrugë zyrtare nga Bashkia e Tiranës për mënyrën se si është hartuar ky amendament, që ngarkon pushtetin lokal për zgjidhjen e çështjes,  prej të cilëve është thënë se për se për mënyrën se si është shkruar mendimi i ligjit “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” nuk u jep zgjidhje problemeve. Në njoftimet që unë kam paraqitur në Komision, ka qenë që, përveç përfaqësuesve të Ministrisë së Transporteve, të kishte dhe përfaqësues nga Bashkia e Tiranës.
Bedri Hoxha: Ligji paraqitet si një domosdoshmëri, pasi një numër i madh apartamentesh apo godinash jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë, janë të pahipotekuara. Për pasojë, një mungesë e madhe në tregun shqiptar për të dalë në treg. Ky është një shqetësim i vazhdueshëm i qytetarëve që kanë blerë këto apartamente dhe nuk kanë mundur t’i hipotekojnë.
Eglion Peçi (drejtor i Shërbimeve Juridike në MPPT): Mendimi i Bashkisë së Tiranës për draftin në fjalë i është dërguar institucionit në fjalë dhe nuk ka pasur asnjë koment apo vërejtje. Lidhur me mendimin e ALUIZNI-t, mund t’ju them se mendimi në fjalë nuk ka lidhje me legalizimin e ndërtesave, ka të bëjë vetëm për kryerjen e aktit të kolaudimit të objektit lidhur me kriteret dhe kushtet.
Jemin Gjana: Ajo që shprehni ju që është dërguar për mendim në bashki dhe nuk iu bënë vërejtje, e ezauron në një fare mënyrë. Mua më është kërkuar që të kem në vëmendje që Bashkia e Tiranës e sheh projektin në fjalë pa pronë, që do të thotë që ose nuk është parë siç duhet, ose kanë lindur diskutime të mëtejshme për të përmirësuar draftin. Fakti që ka një reagim nga Bashkia e Tiranës, që ka problematikën më të madhe, mendoj se duhet ta konsiderojmë për ta parë dhe të mos e mbyllim që sot këtë çështje.
Eduard Shalsi: ALUIZNI nuk trajton vetëm objektet e ndërtuara pa leje. Në vitin 2008 ALUIZNI-t i keni dhënë të drejtën që të legalizojë dhe shtesat e pallateve që kanë pasur leje shfrytëzimi. Në vitin 2008, Bashkia e Tiranës transferoi tek ALUZINI të gjitha dosjet e pallateve pa leje, pikërisht sepse u mor përsipër që me amendimet ligjore ALUIZNI të legalizonte dhe shtesat e pallateve me leje dhe mori përsipër që t’i legalizonte ato. Ne e konsiderojmë të rëndësishme që të merret dhe opinioni i ALUIZNI-t.
Jemin Gjana: Bashkia e Tiranës nuk ka njësi legjislative, ndaj u kërkoj përfaqësuesve të Ministrisë së Transporteve dhe Punëve Publike që të shkojnë dhe të bashkëpunojnë me ekspertët e saj, në mënyrë që të rakordoni dhe të dilni me një draft. Kjo është rruga më e shkurtër që të rifreskohen nenet dhe të bëhen komentet përkatëse dhe, më pas, ta sillni prapë në Komision për ta miratuar.

Fatura financiare për bashkitë
Rreth 100 mijë lekë do të jetë fatura financiare, që do t’i ngarkohet njësisë së qeverisjes vendore për kolaudimin e një ndërtese, e cila nuk është përfunduar nga investitori që ka shpallur falimentin ose është larguar duke e lënë objektin të papërfunduar. Kjo shifër është bërë me dije nga drejtori i Shërbimeve Juridike në Ministrinë e Punëve Publike, Eglion Peçi, i pyetur nga deputetët e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese. Sipas amendamentit të Ministrisë, njësitë vendore duhet të caktojnë kolaudatorë dhe më pas do të procedohet me regjistrimin e banesës në ZRPP.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura