DARJEL SINA
Duke ndjekur dhe lexuar njëkohësisht lajmet e këtyre ditëve, ndoqa me vëmendje të lartë nismën e re të Bashkisë të Tiranës në memorandumin e bashkëpunimit të tri institucioneve kryesore, përkatësisht Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Transporteve. Kjo përpjekje, e cila në thelb përbën dhe provën e parë të administratës “Basha”, përçon drejt banorëve të këtij qyteti optimizmin se brenda një periudhe të shkurtër do të zhduket një ndër shqetësimet më të mëdha të dhjetëvjeçarit të fundit dhe njëkohësisht kjo provë përmban në vetvete dhe realizimin e një ndër premtimeve elektorale më kryesore në axhendën e tejmbushur të synimeve të z. Basha si kryebashkiak i Tiranës. Arsyeja e shkrimit të këtij artikulli inicioi nga një shqetësim i madh i imi si qytetar i këtij qyteti, i cili shqetësim rezulton të jetë një problem shumë i madh juridik për banorët e pallateve të pahipotekuara, të cilat nga Bashkia e Tiranës llogariten në 450. Ky problem nuk reflektohet në pikat që memorandumi paraqet, ndërkohë që për mendimin tim personal ndoshta ky shqetësimin përbën dhe thembrën e Akilit në këtë pikë që jemi sot. Rasti konkret është blerja e një apartamenti, i cili në shumicën e rasteve në Tiranë e jo vetëm, është kryer në bazën e Kontratës së Porosisë (neni 913 i K.C). Banorët, ndërkohë që kanë kryer detyrimet e tyre kontraktore-financiare, pra kanë shlyer këstet e shumës nominale, e cila referohet në kontratën e porosisë dhe mendojnë, për mendimin tim, me të drejtë që tashmë shtëpia u përket atyre juridikisht si pronarë të vetëm të apartamenteve që zotërojnë, gjenden përpara një surprize aspak të këndshme. Imagjinoni rastin kur ne si banorë jetojmë në këto apartamente dhe një ditë në derën tonë na troket zyra e Përmbarimit, e cila pretendon që në këtë shtëpi nuk jetojmë ne blerësit dhe pronarët e shtëpisë, por dikush tjetër (i afërm i ndërtuesit), i cili ka arritur të marrë një kredi duke vendosur shtëpinë tuaj në një kontratë hipotekimi si garanci bankare. Gjithçka është diçka e ndodhur dhe jo e sajuar nga imagjinata ime personale. Kjo ngjarje nxjerr në shikim të parë këtë problem të madh juridik. Mendoni se sa raste të tilla do të dalin në dritë me dëshirën e qytetarëve, të cilët do të shkojnë të hipotekojnë apartamentet e tyre. Pyetjet që më lindin janë këto: Si është e mundur që bankat në Shqipëri japin kredi të tilla duke u bazuar vetëm në certifikatën e pronësisë së karabinasë, pasi momentalisht në Tiranë apartamentet nuk janë të hipotekuara në Hipotekë? Si është e mundur që bankat arrijnë dhe bëhen bashkëpunëtore me ndërtuesit e pallateve në këtë akt monstruoz duke konsumuar veprën penale të mashtrimit në bashkëpunim, e cila madje shkakton pasoja të rënda dhe masë dënimi nga 10-20 vjet burg? (Neni 143 i K.P). Mendoj se ky problem i madh juridik do të sjellë pasoja shumë të rënda për qytetarët e këtij qyteti, të cilët do të jenë në një luftë të madhe juridike me gjykatat e vendit, por kryesisht mendoj që kjo luftë do të jetë psikologjike. Kam frikën se ky konfrontim palësh do të degjenerojë dhe në një përplasje fizike, pasi mbrojtja e pronës, një e drejtë themelore kushtetuese e çdo shteti, i cili pretendon të quhet shtet i së drejtës, ka treguar në Shqipëri që gjithmonë denigron në viktima të shumta. Mendoj se memorandumi i bashkëpunimit duhet të parashikojë si shtojcë tashmë këtë problem juridik dhe konkretisht Ministria e Drejtësisë duhet të angazhohet në zgjidhjen e këtij kaosi të shkaktuar jo nga pronarët e vërtetë të apartamenteve, të cilët jetojnë në këto apartamente, por nga disa delinkuentë komunë, të cilët arrijnë të shkelin mbi sakrificat dhe djersën e qytetarëve të këtij qyteti-shteti. Askush nuk mendoj se është kundër kredidhënies së huave bankare pasi këto përbëjnë një produkt të rëndësishëm të ekonomisë së çdo vendi për t’u zhvilluar. Dhënia e këtyre kredive veçse duhet të ketë kritere shumë të rrepta, në mënyrë që bankat mos të krijojnë portofolat e kredive të këqija. Në rastin konkret, bankat, në shkelje flagrante, pa ushtruar kontrollin përkatës juridik për apartamentet që kërkojnë të hipotekojnë, pasi theksojmë se shumica e këtyre pallateve nuk kanë certifikatë pronësie dhe e vetmja certifikatë ekzistuese në posedim të ndërtuesve është ajo e karabinasë, arrijnë të hartojnë dhe të nënshkruajnë me ndërtuesit një kontratë hipotekimi duke shkelur çdo rregull ligjor të mundshëm. E drejta e pronësisë së çdo qytetari duhet të mbrohet nga shteti pasi vendi ynë, nga praktika e tij e deritanishme (si në gjykatat brenda vendit si në Gjykatën Europiane), ka treguar që në këtë pikë i mungon dëshira dhe kryesisht vendimmarrja, e cila do t’i siguronte qytetarët që Shqipëria vërtet meriton integrimin në familjen europiane. Një akt i tillë kriminal kundër qytetarëve të një shteti anëtar në këtë familje europiane do të gjente përgjigje ligjore të menjëhershme nga shteti, i cili duhet t’i mbrojë qytetarët e tij nga veprimet juridike antiligjore të njerëzve kriminelë. Prandaj të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve të tyre politike, duhet të jemi pro kësaj nisme, pasi kjo përpjekje në vetvete nuk ka ngjyrë politike, por përmban një dëshirë dhe, mbi të gjitha, një dozë të madhe sigurie juridike për shtetin ku jetojmë.
*Pedagog në Universitetin Europian të Tiranës











