Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u ka hequr lejet e tregtimit 11 shoqërive hidrokarbure që operonin në tregun e shitjes me shumicë në vend. Kjo masë vjen një muaj nga pezullimi që u ishte bërë lejeve të këtyre kompanive, pas konstatimit të Inspektoratit Qendror Teknik për mangësi që lidheshin me kapacitetet depozituese dhe magazinuese, në të cilat tregtohej nafta, gazi apo nënproduktet e tjera. Në kontrollin e parë, këtyre kompanive u ishte kërkuar nga IQT që të merrnin masa të menjëhershme për të siguruar kushtet e nevojshme teknike dhe u janë pezulluar për një muaj lejet e tregtimit, por, pavarësisht paralajmërimit, kompanitë nuk kanë reaguar. Kjo ka bërë që Inspektorati Qendror Teknik të propozojë pranë ministrit Nasip Naço masën ekstreme të heqjes së lejes së tregtimit. “Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, vendosi sanksionin e heqjes së licencës për tregtimin me shumicë të naftës, gazit dhe nënprodukteve të saj, për 11 sh.a., për mosplotësim të kushteve ligjore të kapaciteteve depozituese-magazinuese”, thuhet në njoftimin e djeshëm të Ministrisë së Ekonomisë. Kjo në fakt nuk është hera e parë që nga ana e METE merren masa drastike për shoqëri që operojnë në tregun e shitjes me shumicë të hidrokarbureve. Ministri Nasip Naço ka ngritur prej kohësh një grup pune pranë tij, për të verifikuar shkeljet në këtë treg dhe herë pas here për kompani të ndryshme janë hequr lejet e tregtimit për shkak të shkeljes së ligjit. Nga ana e Ministrisë së Ekonomisë është bërë e ditur se marrja e masave ndaj kompanive që nuk zbatojnë ligjin është edhe një luftë kundër informalitetit dhe pro konkurrencës së ndershme për operatorët e licencuar në kushtet e një tregu të hapur, të liberalizuar dhe të dominuar nga kompani private. E njëjta ministri deklaron se strukturat pranë saj do të vazhdojnë me kontrollin në terren të shoqërive, për të garantuar zbatim të ligjit sipas standardeve europiane, në mënyrë që kompanitë të ndërgjegjësohen për plotësimin e gjithë kritereve teknike.
kompanitë
1. Shoqëria “Refraktare” sh.a
2. Shoqëria “Glob Oil” sh.a
3. Shoqëria “Gleand Oil”sh.a
4. Shoqëria “Marash Oil” sh.a
5. Shoqëria “KX Petrol” sh.a
6. Shoqëria “Ylli Artemis” sh.a
7. Shoqëria “General Lubrifikant” sh.a
8. Shoqëria “L.C” sh.a
9. Shoqëria “Rom Petrol” sh.a
10. Shoqëria “ER – AR” sh.a
11. Shoqëria “Leksoil Elika” sh.a
© Panorama.al











