Hidhet nga kati i tetë nga depresioni, vetëvritet mësuesi i Matematikës

Sep 15, 2011 | 11:51

Tiranë – Një mësues 41-vjeçar është hedhur nga ballkoni i katit të tetë i apartamentit ku banonte, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës, në Laprakë të Tiranës. Olsi Abazi, babai i dy fëmijëve të mitur, një djali 7 vjeç dhe një vaze 1-vjeçare, u vetëvra duke u hedhur nga tetë kate lartësi, në një prej kullave të Arabit, që ndodhen në rrugën “Dritan Hoxha”. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se 41-vjeçari dyshohet se vuante nga depresioni, madje muajt e fundit përdorte edhe ilaçe antidepresive. Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe bashkëshortja e tij, kur është pyetur nga oficerët e Komisariatit Nr.3 të Tiranës. Sipas saj, i shoqi nuk kishte asnjë problem tjetër që mund ta çonte drejt vetëvrasjes. Nga të dhënat e para hetimore, pas kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore, dyshohet se Abazi është vetëvrarë në një moment kur po kalonte një krizë depresioni. Sipas burimeve nga Policia, 41-vjeçari është hedhur nga ballkoni në kohën kur gruaja dhe fëmijët ishin ende në gjumë dhe nuk ka lënë asnjë letër që të shpjegonte arsyet e ngjarjes. Policia është lajmëruar për ngjarjen nga disa dëshmitarë, të cilët kanë parë trupin e pajetë të mësuesit, teksa kishin dalë në mëngjes për në punë. Ata fillimisht kanë lajmëruar bashkëshorten e viktimës dhe më pas në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë. Viktima ishte mësues Matematike në një shkollë 9-vjeçare, gjithashtu ishte një prej kandidatëve për deputet i përzgjedhur nga subjekti politik G99, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Problemet me depresionin, sipas Policisë, kishte filluar t’i shfaqte vetëm muajt e fundit, pasi nga dëshmitë e të afërmve më parë ai nuk ka pasur probleme të tilla. Burimet sqaruan se ngjarja është klasifikuar si vetëvrasje dhe nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezulton se vdekja ka ardhur nga hemorragjia e organeve të brendshme, si rezultat i përplasjes së fortë me tokën.

© Panorama.al

Te lidhura