Hida: Për pensionet duhet të ndryshojë skema, jo mosha

Nov 14, 2011 | 9:31

Deputeti: Futja e kolonës së dytë barazon pensionet me atë që kontribuohet. Skema aktuale e ngurtë, nuk i përgjigjet sfidave

Sipas Syhbi Hidës, sistemi shumëkolonësh dhe futja e kolonës së dytë të detyrueshme është i domosdoshëm aktualisht. Hida thekson se rritja e moshës së pensionit apo e kontributeve nuk është zgjidhje.
Në vitin 2012 do të dyfishohet numri i atyre që dalin në pension. Do të shtohen 11 mijë raste të reja, në totalin prej 27 mijë. Kjo për shkak të mbarimit të reformës për rritjen e moshës me 6-muaj dhe për arsye demografike të shtimit të lindjeve pas luftës. Ky ndryshim përkeqëson raportin përfitues/kontribuues dhe shton financimin nga buxheti të skemës. A mendoni se ka ardhur koha të ketë një ndryshim në moshën e daljes në pension apo te përqindja e kontributeve?
Në fakt, relacioni i p/buxhetit tregon si vijon: “Një element i veçantë në programimin e shpenzimeve për pensionet publike të vitit 2012, por edhe të viteve në vazhdim, është përfundimi i reformës së rritjes graduale të moshës së daljes në pension, e nisur në vitin 2002. Kjo bën që në vitin e ardhshëm ritmi i pensioneve të reja të dyfishohet ose të arrijë në rreth 27 000 raste dhe me një shtesë neto rreth 11 mijë pensione. Ky ritëm shtohet në vitin 2014, kjo për shkak të ritmeve më të larta të lindjeve rreth 60 vite më parë”. Është e vërtetë që për shkak të periudhës tranzitore të ndryshimit të moshës së pensionit, numri i pensionistëve pritet të rritet në vitet në vazhdim, duke iu përgjigjur ndryshimeve demografike. Edhe në projektbuxhetin e vitit 2012 parashikohet që shtesa neto të jetë rreth 11 mijë pensionistë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që këtij fenomeni duhet t’i përgjigjemi me rritje moshe apo rritje të kontributeve për pensione. Në qoftë se vitet në vazhdim do të shoqëroheshin me një rritje të numrit të të punësuarve dhe të kontribuuesve, atëherë ky fenomen nuk përbën ndonjë problem për skemën. Pavarësisht kësaj, mendoj që skema e pensioneve në vendin tonë duhet të jetë një skemë fleksibël, që krijon mundësi përshtatjeje si ndaj zhvillimeve ekonomike, ashtu edhe demografike. Skema aktuale është një skemë e ngurtë dhe e ka të vështirë t’u përgjigjet sfidave demografike dhe kërkesave të ekonomisë.
Sipas të dhënave, gati i gjithë deficiti i pensioneve është shkaktuar nga skema e pagesave suplementare, pra nga politikat populiste apo programore të partive të ndryshme. A mendoni se qeveria duhet të ndajë këto financime sipas ministrive përkatëse dhe mos t’i bashkojë me skemën “pay as you go”. Në këtë mënyrë, vetë skema mund të jetë më eficiente dhe politikat shtesë të çdo partie të jenë më të qarta për publikun.
Nuk do t’i quaja politika populiste, pasi ndryshimi rrënjësor i sistemit të jetesës në  vendin tonë, përveç shumë e shumë kostove, trashëgoi edhe probleme të cilat duhet të mbulohen nga taksapaguesit e sotëm. Mendoj që skemat suplementare, si pagesat për ushtarakët, punonjësit e nëntokës, veteranët, dëshmorët e kombit etj. apo skemat e veçanta që trajtojnë kompensime për rritje të çmimeve, apo kompensime për të ardhurat e pensionistëve, janë të ndara nga skema e pastër e pensioneve, pavarësisht se ato administrohen nga ISSH. Shpenzimet e këtyre skemave përbëjnë rreth 17 për qind të shpenzimeve totale të administruara nga ISSH. Nuk mendoj që përbën ndonjë përfitim ndarja nga administrimi i ISSH dhe kalimi në administrim nga vetë ministritë e linjës, pasi kjo veçse do të rriste koston e administrimit. Ndoshta duhet një kujdes i veçante për të publikuar në tabelën fiskale treguesit e të tre programeve, pasi kjo është tabela që i referohen shumica e specialistëve dhe taksapaguesit.
Flitet vazhdimisht për reformën e sistemit, duke e kthyer në sistem me tri kolona. Para disa vitesh, u ngrit një komision shumëpartiak, por deri tani nuk ka asnjë rezultat. A mendoni se kjo ka një kosto për qytetaret? A mendoni se sistemi 3 kolonësh është eficient në vendin tonë duke pasur parasysh numrin e vogël të popullsisë?
Qeveria Berisha, në bashkëpunim me Bankën Botërore, ngriti një grup pune në vitin 2006 për reformimin e sistemit të pensioneve. Në këtë grup pune u ftuan edhe specialistët e Partisë Socialiste, por që më vonë e braktisën pjesëmarrjen në këtë grup. Për shkak se reforma e pensioneve është një reformë që prek shumë breza dhe e cila kërkon një angazhim afatgjatë, u vlerësua që kjo reformë duhet të jetë bipartizane, dhe për këtë arsye rezultatet e këtij grupi mbeten në vlerësime teknike dhe presin pjesëmarrjen e vendimmarrjes politike. Edhe si pjesëtar i grupit të punës, për shkak të pozicionit tim të asaj kohe në Ministrinë e Financave, por edhe bazuar në bindjen time, mendoj që një sistem me tri kolona do të ishte më eficient, sesa sistemi dy kolonësh që ekziston sot: sistemi detyrues shtetëror dhe sistemi vullnetar i pensioneve. Sistemi do të ishte më fleksibël dhe eficient në qoftë se do të kishte një sistem me dy kolona detyruese dhe një vullnetare, e cila ekziston aktualisht. Kolona e parë do të detyronte të gjithë të punësuarit të paguanin një përqindje të caktuar të pagës së tyre, me qëllim që t’i siguronte një minimum të caktuar të ardhurash kur ata të dilnin në pension. Kjo kolonë funksionon sipas skemës “pay-as-you-go” . Kolona e dytë do të ishte një sistem i cili bazohet te niveli i të ardhurave të të punësuarve dhe te zgjedhjet e tyre individuale për periudhën e tyre të pensionit. Ky sistem bën të mundur që niveli i pensionit të jetë rezultante e kontributit të tij në vite dhe performancës së skemës, pra çdokush merr çfarë ka kontribuar. Megjithatë, debatet dhe rekomandimet mbi reformën e pensioneve nuk janë asnjëherë shteruese dhe kërkohet një analizë më e gjerë. Por ajo që është e sigurt, është që sa më shpejt të fillojë debati mbi këtë reformë, aq më e lehtë do të jetë për të gjithë taksapaguesit. Dhe që reforma nuk mund të kushtëzohet me numrin e popullsisë, edhe pse ajo ka rëndësinë e vet. E rëndësishme është eficienca e skemës, fleksibiliteti i saj dhe drejtësia mbi atë çka paguhet dhe atë çka merret. Nuk ka arsye që një pjesë të kursimeve të qytetarëve, që priten të konsumohen në periudhën e pensionit të menaxhohen nga bankat, apo më keq, të konsumohen nga të tjerët. Nuk është e drejtë që dikush të paguajë sa pesëfishi i dikujt tjetër dhe të marrë një pension sa katërfishi i tij.
NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura